Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha sot se 9 prilli është ditë e veçantë në historinë e re të Kosovës.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se shpirti luftarak i vajzave e djemve të UÇK-së, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka ishin më të fuqishme se çfarëdo arsenali ushtarak.

“9 prilli është ditë e veçantë në historinë e re të Kosovës. Beteja e Koshares tregoi se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave. Shpirti luftarak i vajzave e djemve të UÇK-së, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka ishin më të fuqishme se çfarëdo arsenali ushtarak.

Sot, ne e përkujtojmë këtë betejë si njërën ndër momentet më krenare të historisë sonë të re. Ajo dëshmoi se liria nuk ka çmim dhe se vendosmëria për ta arritur atë dhe shpirti i një populli janë të pathyeshme. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore për vajzat e djemtë e UÇK-së, por edhe për gjithë popullin e Kosovës.

Ne u falemi atyre, sakrificës së Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Xhemajl Fetahut dhe mijëra dëshmorëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës. Ata qëndrojnë në themele të lirisë dhe të shtetësisë sonë.

I përjetshëm kujtimi për heronjtë e Koshares!”, shkruan presidentja.