Home Maqedoni 2.23 milionë denarë për kompjuterë e kamera sigurie, ndër tenderët e parë...

2.23 milionë denarë për kompjuterë e kamera sigurie, ndër tenderët e parë të Komunës së Tetovës nën drejtimin e Kasamit

Dy tenderët e parë të Komunës së Tetovës të drejtuar nga Bilall Kasami janë për sigurimin e kompjuterëve të rinj dhe pajisjeve të tjera teknologjike.

Në bazën e prokurimeve publike del se Komuna më 29 dhjetor 2021 ka hapur tenderë për blerjen e kompjuterëve edhe printerëve me vlerë prej 1 milion e 180 mijë denarë. Ndërsa më 26 janar 2022 ka hapur përsëri një tender për blerjen e softuerëve dhe harduerëve në vlerë prej 1 milion e 50 mijë denarë.

Në tenderin e parë Komuna e Tetovës ka blerë gjithsej 22 kompjuterë edhe 15 hard-disqe dhe një printer. Ajo që bie në sy është se vetëm dy kompjuterë Komunës i kanë kushtuar 240 mijë denarë me TVSH apo rreth 3900, që nënkupton se për një kompjuter komuna ka shpenzuar rreth 1950 euro. Ndërsa dy laptopë të tjerë kapin vlerën mbi 171 mijë denarë me TVSH ose 2791 euro, që do të thotë se një laptop ka kushtuar 1395. Në prokurimet publike është kërkuar që hard-disqet shtesë të jenë jo më të vegjël se 240 GB.

Në tenderin e dytë me vlerë prej 1 milion e 50 mijë denarësh, Komuna e Tetovës nga kompania kontaktuese ka kërkuar 27 kamera të jashtme edhe të brendshme të sigurisë si dhe monitor, tre tabletë si dhe 7 laptopë të tjerë.

Të pyetur për këto pajisje të shtrenjta, nga Komuna na thanë se kompjuterët e porositur do të shfrytëzohen për nevojat e administratës.

“Procedura e pranim dorëzimit ende nuk ka përfunduar. Këto pajisje do të shfrytëzohen për nevojat e administratës së komunës”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Kujtojmë se Komuna e Tetovës anuloi dy tenderë për pastrimin e rrugëve dhe blerjen e kripës, ndërsa akoma nuk kanë hapur tender për trajtimin e qenve endacakë.