Sot në gjimnazin “Zef Lush Marku” të Shkupit u organizua një akademi përkujtimore kushtuar drejtorit Faruk Zeqiri, i cili në moshën 42 vjeçare ndërroi jetë të hënën dhe u varros një ditë më vonë.
Në komemoracion ishte edhe ministri i arsimit, Jeton Shaqiri, i cili midis tjerash tha se drejtori Faruku, me plot kuptimin e fjalës ishte njeri, patriot, mik i shkëlqyer, shok, udhëheqës cilësor, por dhe vizionar i cili përpiqej shumë, që dha kontribut të madh në kultivimin e arsimit të popullit shqiptar.
“Humbja është shumë e madhe për familjen e tij, fëmijët, bashkëshorten, prindërit, vëllezërit, motrat, mirëpo, të gjithë ne i ngushëllojmë për pikëllimin e tyre”, u shpreh Jeton Shaqiri.
Për jetën dhe kontributin e Faruk Zeqirit si punëtor i arsimit dhe drejtor i shkollës, folën përfaqësues dhe kolegë nga vetë shkolla ku ishte drejtor dhe nga shkolla e mesme ekonomike, “Cvetan Dimov” ku ka punuar më herët si profesor, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, përfaqësues të Qytetit të Shkupit, nxënës dhe miq të tij. Ndërkaq në emër të familjes, falënderimet i shprehu kushëriri i drejtorit të ndjerë, Enis Zeqiri.