Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – Vjollca Ademi në fjalën e saj në takimin e së premtes të kreut të kësaj partie me Forumin e gruas në Gostivar tha se progresi i gruas gjatë këtyre viteve në Maqedoninë e Veriut ka ndryshuar dhe kjo u bë e mundur, falë mundësive të barabarta, thyerjes së stereotipeve gjinore përmes pjesëmarrjes aktive të gruas në politik, si dhe të gjitha sferat shoqërore që u hartuan përmes strategjive të BDI-së.

“Si aktiviste jam kyçur në BDI qysh në vitin 2003, e themeluar dhe e udhëhequr me urtësi e largpamësi, me dashuri e përkushtim kombëtar, luftarak çlirimtar, politik e demokratik nga udhëheqësi i popullit shqiptar Ali Ahmeti. Në atë kohë vajzat e mia kanë qenë 9 dhe 7 vjeçe, sot janë ne mesin tonë si anëtare të Forumit të gruas mirëpo ‘Unë ndjej se nuk jam lodhur së qenit grua’. Progresi i gruas gjatë këtyre viteve në Maqedoninë e Veriut ka ndryshuar dhe kjo u bë e mundur, falë mundësive të barabarta, thyerjes së stereotipeve gjinore përmes pjesëmarrjes aktive të gruas në politik, si dhe të gjitha sferat shoqërore që u hartuan përmes strategjive të partisë sonë. Sekretarja amerikane e shtetit në një rast kishte thënë: Kur investojmë në grua nuk investojmë në një individ, por investojmë në familje, investojmë në gjeneratat e ardhshme, investojmë në shoqëri dhe shtet”, potencoi Ademi.

Në 20 vjetorin e BDI-së, shtoi ajo, lideri ynë iu drejtua Forumit të gruas me fjalët: “Përderisa të më rrahë një damar mbështetjen do e keni në vazhdimësi.

“Me këtë elan dhe frymëzim të vazhdojmë drejt realizimit të qëllimit tonë për integrimin e vendit në BE. Anëtarësimi në BE, nënkupton përforcim edhe të pozitës gjeostrategjike të vendit, demokratizim më të madh, rritje të dinamikës së reformave, rritja e perspektivës për zhvillim ekonomik, rritja e investimeve në vend, rritja e trendit për hapjen e vendeve të reja të punës, rritja e standardit jetësor dhe kualitet më të mirë të jetës së qytetarit, ti kthejmë të rinjtë në vendin e tyre”, tha deputetja Ademi.