Thursday, February 2, 2023

Grubi priti ambasadorin europian, Geer: Reformat dhe integrimi janë të pandalshëm

Zëvëndëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi, ka realizuar takim me shefin e misionit të Bashkimit Europian në vend, ambasadorin David Geer.

Në këtë takim u diskutua mbi procesin e integrimit të vendit në BE pas hapjes së bisedimeve për anëtarësim si dhe nevojën urgjente të fillimit të ndryshimeve kushtetuese dhe përfundimin e tyre me sukses, si mënyra e vetme për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe hapjen e kapitujve negociues.

Grubi njoftoi Ambasadorin Geer që partnerët e koalicionit tashmë kanë filluar përgatitjet për ndryshimet kushtetuese si dhe janë të përcaktuar për krijimin e Aleancës për Europë me të gjitha forcat progresive në vend.

Grubi gjithashtu tha se të gjithë instancat shtetërore po bëjnë maksimumin me qëllim që procesi i skriningut i filluar në shtator të vitit të kaluar, të përfundojë me sukses, derisa ka falenderuar ambasadorin Geer për përkrahjen e vazhdueshme në gjithë këtë proces të rëndësishëm për vendin.

Më tej, gjatë takimit janë shkëmbyer edhe mendime për sfidat me të cilat do të përballet vendi gjatë procesit të integrimit në BE, në veçanti reformat dhe sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe pritshmëritë por edhe përfitimet konkrete që do kenë qytetarët pas anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.