Thursday, February 2, 2023

Ali Ahmeti: Askush nuk e ndalë ndërtimin e Korridorit 8

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – Ali Ahmeti në fjalën e tij në suaza të takimeve “Bashkë për Europë” në Tetovë me qytetarë dhe bazën partiake mes tjerash foli edhe për projektin e Korridorit 8.

Ai theksoi se punimet shumë shpejt pritet të nisin, ndërsa ngecja e deritanishme ka qenë për shkak se një kompani ruse ka dashur të infiltrohet në procesin e mbikëqyrjes së punimeve, siç tha ai, të këtij projekti kapital dhe të rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin.

“Jo për dobësi të ekzekutivit, Korridori 8 u dashtë të filloj punë me 13 gusht të vitit që lamë pas, por është infiltruar një kompani që të bëjë mbikëqyrjen e punimeve, që ne nuk e kemi ditë, ndërsa ka qenë kompani ruse e kamofluar në kroatë. Na ka marrë gjashtë muaj, por iu hoq e drejta e mbikëqyrjes së punimeve, sepse nuk kishte 2 milionë euro të paguaj garanci bankare dhe këtu e hetuam se është me xhirollogari të bllokuar. Tanimë e gjithë situate është në rrugë të mbarë dhe veç është çështje kohe që kur do të fillojë. Ndërtimi i Korridorit 8 fillon nga Tetova-Gostivar-Zajaz dhe vazhdon deri në Qafë Thanë, si dhe Prielp – Manastir. Një projekt shumë i madh prej 1 miliardë e 300 milionë euro”, theksoi Ahmeti.

Kreu i BDI-së po ashtu përmendi edhe një sërë projektesh të realizuar nga ministrat dhe funksionarët e BDI-së gjatë kësaj përbërje qeveritare.(PRESSonline.mk)