Thursday, February 2, 2023

Ali Ahmeti: Në Qeveri kemi ekip të sukseshëm, të mrekullueshëm

Bashkimi Demokratik për Integrim nën udhëheqje të...

Grubi: Jemi në rrugë të drejtë sepse jemi në rrugë të Ali Ahmetit

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi ka shoqëruar...

Ndahen vendime për 34 komuna për ndërtimin e rrugëve hyrëse në tokë bujqësore

Gjithsej 34 komuna kanë marrë vendime për ndërtimin e infrastrukturës për qasje në tokën bujqësore nga Programi për Mbështetjen Financiare të Zhvillimit Rural për vitin 2022.

Siç informon Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, vendimet përfaqësuesve të komunave ua kanë prezantuar ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski, sekretari shtetëror Rexhail Ismaili, drejtori i Agjencisë për mbështetje financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural Nikica Baçovski dhe zëvendësdrejtori Remzi Abdullahi.

“Masa 124 e Programit për Mbështetjen Financiare të Zhvillimit Rural për vitin 2022 është dedikuar për komunat në të gjithë territorin e vendit, e cila kontribuon në zhvillimin e balancuar rajonal. Mbështetja financiare është në masën 100 për qind të vlerës së kostove të pranueshme të miratuara të investimit dhe paguhet pas përfundimit të plotë të investimit nga shfrytëzuesi. Vlera maksimale e kostove të pranueshme për përdorues është 1 milion denarë”, thuhet në kumtesë.

Me mbështetjen financiare të Ministrisë, përmes këtij programi, 34 komuna do të investojnë në projekte infrastrukturore për depërtimin dhe tamponimin e rrugëve të aksesit lokal në një gjatësi totale prej rreth 19,000 metra. Kjo do t’u mundësojë fermerëve qasje më të lehtë në fushat e tyre, pra në tokën bujqësore të punueshme.

Ministri Nikollovski u përkujtoi përfaqësuesve të komunave se përmes “Programit për mbështetje financiare të zhvillimit rural” MBPEU i përkrah komunat me masa të tjera që përmirësojnë jetën në zonat rurale përmes masave 321, 322 dhe 323.

Përmes masës 321 “Përmirësimi i cilësisë së jetës në zonat rurale”, siç tha ai, ne ofrojmë mbështetje për komunat për ndërtimin e infrastrukturës lokale, rrugëve, urave, përmes të cilave lidhen dy ose më shumë vendbanime në zonat rurale në gjatësi deri në 5 kilometra. Mbështetje u jepet edhe investimeve në ndërtimin e infrastrukturës lokale për lidhjen e fshatrave me një rrugë rajonale deri në 7 kilometra të gjatë, si dhe mbështetje për ndërtimin e ujësjellësit dhe kanalizimeve në fshatrat deri në 1500 banorë, ndërtimin e infrastrukturës së telekomunikacionit, tregjet, si dhe ambientet për qendrat apo klubet kulturore të fëmijëve, të rinjve apo të pensionistëve në zonat e populluara rurale.

Masa 322 “Rindërtimi dhe zhvillimi i fshatrave” ofron mbështetje për komunat në përgatitjen e dokumentacionit urban për zonat rurale. Më pas investime në ndërtimin apo rikonstruksionin e shesheve, shëtitoreve, hapësirave publike të gjelbëruara në zonat rurale deri në 30.000 banorë dhe investime në ndërtimin apo rikonstruksionin e rrugëve të fshatit.

“Me masën 323 “Ruajtja dhe promovimi i vlerave tradicionale në zonat rurale”” ne mbështesim komunat në investime për ndërtimin e infrastrukturës lokale për lidhjen e vendbanimeve nga zonat rurale me lokalitetet e një rëndësie të veçantë për banorët në një gjatësi prej 2 kilometrash. Ne ofrojmë mbështetje në ruajtjen e monumenteve kulturore dhe natyrore për të mbështetur turizmin rural dhe shënimin dhe promovimin e shtigjeve të ecjes dhe çiklizmit”, thuhet në njoftim.

Sipas Nikollovskit, Qeveria, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Agjencia Pagesore dhe në bashkëpunim me komunat janë duke krijuar masa serioze dhe konkrete që përmirësojnë jetën në zonat rurale.