Burime diplomatike nga Bashkimi Evropian kanë ritheksuar edhe njëherë se përfshirja e komunitetit bullgar në Kushtetutë është një detyrim, por edhe një zgjedhje sovrane e vendit, i cili nga shembujt e mëparshëm “ka një histori të fortë në lidhje me marrëdhëniet ndëretnike”. Ata vlerësuan se ka optimizëm për ndryshimet kushtetuese, duke apeluar për një diskutim racional të të gjitha subjekteve politike për të arritur një konsensus dhe për të siguruar mbështetje në Kuvend për ndryshimin e Kushtetutës.
Vendi duhet të fokusohet në objektivin e tij afatgjatë, anëtarësimin në BE duke u fokusuar në agjendën e reformave evropiane dhe zbatimin e procedurës së ndryshimit kushtetues, e cila është mjaft komplekse, vlerësojnë burime të BE-së.
Lidhur me kërkesën e opozitës për garanci nga Brukseli se pas miratimit eventual të ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë bllokada të reja nga Bullgaria, sipas të njëjtave burime, është e vështirë të imagjinohet se Unioni mund të japë ndonjë garanci që në procesin e negociatave nuk do të shfaqet një veto e re, por ka një interes të fortë “për të mos lejuar që çështjet që lidhen me historinë të bëhen pjesë e procesit të negociatave”.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje nga foltorja e Kuvendit, duke folur për rrjedhën e procesit të skriningut, theksoi se këtë vit duhet të kemi një konsensus politik me të cilin do të sigurojmë vazhdimësinë e procesit të negociatave me BE-në.
“Është me rëndësi kyç që të ketë ndryshime të suksesshme kushtetuese dhe mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare. Ky vit, duhet të jetë vit i bashkimit rreth perspektivës evropiane dhe ku shteti do të lëvizë në dhjetë vitet e ardhshme”, ka thënë kryeministri Dimitar Kovaçevski nga foltorja e Kuvendit, duke folur për rrjedhën e skriningut të institucioneve nga ana e Komisionit Evropian.
Ai theksoi se Qeveria është e vendosur që t’i zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që të bëhet anëtare e besueshme e familjes evropiane.
“Kjo është mundësia jonë historike që e kemi pritur prej kohësh dhe tani që kemi një mundësi nuk duhet ta humbim. Negociatat me BE-në janë një mundësi për të transformuar dhe reformuar rrënjësisht vendin tonë, për t’u ofruar qytetarëve tanë kushte evropiane për të jetuar dhe punuar edhe atë këtu në shtëpi”, theksoi Kovaçevski.
Detyrat dhe detyrimet që vendi duhet të kryejë këtë vit në lidhje me procesin e integrimit evropian kanë qenë edhe temë e bisedës në takimin e djeshëm në Bruksel mes zëvendëskryeministrit përgjegjës për Çështjet Evropiane Bojan Mariçiq dhe Komisionerit Evropian për Zgjerim Oliver Varheji.
Siç kumtoi SÇE, që shpejtë dhe me sukses t’i bëjmë reformat, ka qenë një prej kërkesave të eurokomisarit Varheji dhe me bashkimin politik rreth procesit eurointegrues dhe ndryshimet kushtetuese të suksesshme Maqedonia e Veriut ta garantojë perspektivën evropiane.
Ai e konfirmoi mbështetjen të cilën e ka Maqedonia e Veriut nga partnerët evropianë, që sipas Mariçiqit duhet ta shfrytëzojmë dhe të jetë motiv që në mënyrë më dinamike dhe intensive të vazhdojmë me procesin e negociatave.
Maqedonia e Veriut negociatat për anëtarësim me BE-në i filloi vitin e kaluar më 19 korrik, por për vazhdimin e tyre në fazën e dytë, pas përfundimit të skriningut bilateral, i cili po zhvillohet me sukses, kusht është zbatimi i ndryshimeve kushtetuese dhe progresi në reforma, thanë dje burime nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se është e nevojshme të sigurohet një konsensus për ndryshimin e Kushtetutës.