“Se perspektiva dhe zhvillimi ekonomik i vendit nuk kanë alternativë tjetër përveç rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian (BE), e kanë të qartë edhe grupet e caktuara që promovojnë euro-skepticizëm dhe pengojnë këtë rrugëtim”, thotë profesori universitar dhe ekspert për çështje ekonomike, akademik Abdylmenaf Bexheti.

Sipas tij, në mungesë të ofertave më të mira, këto grupe vetë e kanë ushqyer votuesin e tyre me patriotizëm folklorik dhe tash e kanë vështirë të bëjnë të kundërtën.

“Padyshim që procesi i përafrimit të BE-së është në raport të drejt me procesin e zhvillimit ekonomik dhe jo vetëm. Edhe vendet me tregje dhe resurse shumë më të mëdha nuk përballojnë izolimin e lëre më Maqedonia e Veriut me resurse shumë të limituara dhe tendencë emigrimi drejt vendeve të BE-së. Struktura ekonomike e vendit pothuajse plotësisht është e varur nga tregu dhe mbështetja e BE-së. Edhe blloku kundër euro-integrimeve e ka të qartë këtë por agjenda dhe cikli politik, në mungesë të alternativës zhvillimore ua imponon këtë. Në fakt vendi s’ka alternativë tjetër, problemi qëndron se, në mungesë të ofertave më të mira, vet e kanë ushqyer votuesin e tyre me patriotizëm folklorik dhe tash e kanë vështirë të bëjnë të kundërtën”, deklaroi Bexheti për Indeks.mk

Maqedonia e Veriut për momentin gjendet në paradhomën për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Për vazhdimin e rrugëtimit euro-integrues të vendit janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese, për të cilat nevojitet konsensus më i gjerë politik. Për arritjen e këtij qëllimi politik, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka nisur nismën për krijimin e një fronti “Bashkë për Europë”. Mirëpo, pas bërjes publike të kësaj nisme, struktura dhe grupe të caktuara ka hasur nऴ reagim të ashpër, dhe po kundërshtohet nisma.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një nga tubimet me qytetarë dhe strukturat partiake në Tetovë, deklaroi se tani është një moment historik që t’i thërrasim njerëzit, dhe të ulemi e bisedojmë.

“Mjaft kanë qenë në garë, provuan 20 vjet partitë politike. 14 janë regjistruar e çregjistruar deri tani, dhe asnjë nuk ka mundur ta fitojë BDI-në. Dhe ne duam tani të hapet një etapë e re për shqiptarët, një front i përshpejtuar nga paradhoma në dhomën e BE-së. Të bëhemi një front, në këtë mision kaq të rëndësishëm për të mirën tonë, të qytetarëve shqiptarë, maqedonas dhe gjithë të tjerët që jetojnë në këto hapësira. Ky front sipas vlerësimeve është një ndihmë që e përshpejton këtë rrugë. Që përshpejton dhe ndihmon edhe në ndryshimet kushtetuese. Ky front nuk duhet të funksionojë vetëm te ne shqiptarët, por edhe te bashkëqytetarët tanë maqedonas. Të lehtësojmë dhe shkurtojmë rrugën”, deklaroi Ali Ahmeti – lider i BDI-së./Indeks.mk/