Friday, December 8, 2023

Grubi: Kemi zgjidhur çështje madhore që shuan konfliktet dhe sollën prosperitet për të gjithë qytetarët tanë

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi nga Konferenca vjetore “Viti i mundësive të reja” organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, deklaroi se Maqedonia e Veriut falë marrëveshjeve të bëra gjithmonë ka dalë shtet fitues, duke shuar konflikte e duke siguruar prosperitet dhe stabilitet për qytetarët e vet.

Mes tjerash Grubi theksoi se tanimë kemi një shoqëri më të shëndetshme që prinë drejt proceseve madhore, teksa jemi një vend i cili negocion me Brukselin.

“Krahas shpalljes së pavarësisë dhe Kushtetutës, vendi ynë ka tre dokumente bazë që mundësojnë realizimin e objektivave tona programore, Marrëveshjen Paqësore të Ohrit, Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë. Rrumbullakësuam pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit dhe tani zbatimi i saj është përditshmëri që na ka mundësuar të kemi një shoqëri të barabartë, jemi dëshmitarë se nuk është marrë asnjë vendim margjinalizues e diskriminues dhe nuk ka asnjë pengesë në zbatim. Shteti tregon besnikëri ndaj komuniteteve dhe komunitetet ia kthejnë me besnikëri. Vendi ynë nuk ka humbur asgjë, as nga flamuri, as nga gjuha, as nga komunat, as nga universiteti, përkundrazi është bërë shumë më i fortë dhe më i qëndrueshëm dhe ky proces i ka hapur perspektivën europiane. Edhe pas Marrëveshjes së Ohrit, dielli lindi sërish dhe ne jemi po ata, në të njëjtin vend, por me një shoqëri shumë më të shëndetshme.
Respektuam Marrëveshjen e Prespës në tërësi, ndryshuam Kushtetutën. Përsëri, asgjë e keqe nuk ndodhi me vendin tonë. U bëmë anëtarë të NATO-s, u shtuan investimet e huaja dhe jemi të sigurt në këto kohëra të vështira dhe të paparashikueshme. Edhe pas Marrëveshjes së Prespës, dielli lindi sërish dhe vendi ynë mbeti aty ku ishte, por shumë më i fortë dhe me shumë miq.
Edhe me Serbinë e zgjodhëm çështjen e autoqefalisë së kishës ortodokse dhe përsëri nuk na ndodhi asgjë e keqe. Marrëveshjen për fqinjësi të mirë e miratuam edhe në Qeveri edhe në Kuvend dhe si rrjedhojë në korrik të vitit të kaluar më në fund filluam negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Edhe pas kësaj dielli lindi sërish dhe ne flasim të njëjtat gjuhë që flisnim, po vazhdojmë siç po shkruanim, ndihemi ashtu siç jemi, pa lejuar asnjë imponim, por tani si një vend që negocion me Brukselin”, deklaroi Grubi.