Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë – Artan Grubi me një postim në rrjetet sociale ka bërë të ditur për opinionin një lajm të mirë që vjen nga Brukseli.

Komisioni Evropian sot propozoi dhënien e 100 milionë eurove ndihmë makrofinanciare për Maqedoninë e Veriut.

Ja njoftimi i plotë i zëvendëskryeministrit të parë Grubi:

Politikat dhe menaxhimi i mirë i institucioneve si dhe rruga e drejtë të cilën e kemi nisur, po japin rezultate.

Sot, Bashkimi Europian ka propozuar të akordojë ndihmë financiare prej 100 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut për ballafaqim me pasojat e krizës energjetike, përmes pakos së përkrahjes makro-financiare.

Kjo ndihmë do të mbulojë nevojat financiare të vendit gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm duke siguruar kështu qëndrueshmëri fiskale dhe reformat e drejtuara në fushën e menaxhimit fiskal, politikës tatimore, investimet publike, partneritetet publiko private, mjedisin afarist, transparencën në ndihmën shtetërore, energjetikë, reformat në gjyqësor si dhe në luftën kundër korrupsionit.

Shfrytëzimi i ndihmës do të bëhet në dy transhe dhe është plotësim i Instrumentit të përkujdesjes dhe likuiditetit të aprovuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe do të mund të shfrytëzohet pas miratimit nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE-së.