Zëvendësja e kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska sot kishte takim pune me Shoqatën e Grave nga Sektori i Sigurisë “Uni-Form”.

Në takim ishte theksuar se forcimi i kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit do të mundësohet edhe përmes përfshirjes së sektorit joqeveritar në aktivitete me çka do të intensifikohet integrimi evropian, ndërsa gjatë kësaj do të ndikohet edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Zëvendëskryeministrja Gërkovska ka informuar për aktivitetet e deritanishme dhe rezultatet të cilat janë arritur, por i ka prezantuar edhe planet e ardhshme të Kabinetit për Politika të Qeverisjes së Mirë të cilat janë përqendruar në tri shtylla, krijimin e politikave kundër korrupsionit, transformimi digjital i shoqërisë, si dhe institucione profesionale, llogaridhënëse, përgjegjëse dhe efikase.

Duke i konfirmuar angazhimet qeveritare për integrimin e të rinjve në shoqëri, bëhet e ditur në kumtesën e kabinetit të Gërkovskës, ajo ka theksuar se këtë vit në fokus është popullata e re, gjegjësisht promovimi i integritetit të tyre dhe shfrytëzimi i njohurive të tyre në procesin e ndryshimeve.

Duke pasur parasysh se lufta kundër korrupsionit në rrugën drejt BE-së është bërë prioriteti kryesor i qeverisë, ndërsa mbrojtja e proceseve demokratike është një detyrim i përbashkët, në takim u konfirmua nevoja e përfshirjes së të gjithë qytetarëve në krijimin e një shoqërie të përgjegjshme për avancimin e sundimit të drejtësisë, barazia para ligjeve të bëhet rregull dhe të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme parimet e qeverisjes së mirë.