(Fragment nga shkrimi i publicistit Daut Dauti, “Kosova ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, në revistën “Shenja”)
Se ç’do të bëhet, enigma më e madhe është ajo afatshkurtër: dialogu me Serbinë. Përfundimi i tij, që synohet sivjet, madje ndoshta në gjysmën e parë të vitit si gjëja më optimiste, mund të jetë edhe një kapitull fatlum ose fatkeq, një kënaqësi gjysmake, si gjithë historia e pasçlirimit. Është ende e paqartë se si do të “modelohet” Asociacioni i Komunave Serbe, për çka insistojnë BE-ja dhe SHBA-ja. Si do të jetë kompromisi midis refuzimit të plotë nga ana e kryeministrit Albin Kurti gjatë dhjetë vjetëve të fundit, qëkur është bërë pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare, dhe pretendimeve serbe për t’i dhënë ingerenca autonomiste. Jam ndër ata që mendojnë se është lëshuar shansi shumë më i favorshëm i këmbimit të territoreve sipas idesë së Hashim Thaçit dhe Vuçiqit, si një mundësi e artë për ta flakur Serbinë përgjithmonë nga ndikimi në Kosovë (me Asociacionin do të jetë e pranishme përherë!), me njohje nga shteti i Serbisë dhe nga Kisha Serbe, siç ka thënë edhe akademik Rexhep Qosja shumë më herët se këta. Tash, nga mbështetja për muri, edhe e Kosovës, edhe e Serbisë, me ofertën “merre ose leje”, dëshpërimi mund të jetë shumë më i madh dhe shumë patriotë të flaktë pa vizion të dhjetë viteve të kaluara mund t’i mëshojnë kokës për shanset e humbura për të krijuar avantazhe dikur, e jo për ta lënë punën të vijë gjer këtu.
Në planin afatgjatë, shteti që do të ndërtohet do të jetë midis idealit të lëvizjeve kombëtare që synonin “një shtet, një gjuhë, një flamur” dhe realitetit kur këto tri shtylla po luhaten. Sepse, Pakoja e Ahtisarit, që vuri bazat e shtetësisë, duke i dhënë të drejtë krijimit të shtetit të Kosovës, nuk lejon jetësimin e idealit shqiptar të bashkimit. Ky bashkim do të ishte i mundur në rast se do të bëhej këmbimi i territoreve. Nuk mund të bëhet “një shtet” (Shqipëri), për shkak të balansave ndërkombëtare. Nuk ka më “një flamur”, sepse i riu që simbolizon shtetësinë e Kosovës s’ka kurrfarë lidhje ideore e simbolike me flamurin kombëtar. I tillë është bërë që të mos ketë aso lidhjeje.
Ajo që është më problematike për të ardhmen janë tendencat, gjithnjë e më të forta, që ndoshta të mos ketë më as “një gjuhë”, por të krijohet një gjuhë tjetër zyrtare shqipe! Kjo e fundit do pak elaborim, sepse deri diku bazohet në “padrejtësinë” që i është bërë dialektit të gegërishtes gjatë krijimit të standardit të gjuhës së sotme dhe është proces që ka nisur nga debate para se të pavarësohej Kosova. Por, ky debat merr “kuptim” pikërisht tash në dritën e tendencave të krijimit të “kombit kosovar”, i cili në teorinë moderne nuk nënkupton etninë (këtu ka të drejtë Nexhmedin Spahiu) dhe nuk e mohon shqiptarinë, por vetëm shënjon “pronësinë” e shtetit siç do të thoshte Nexhi, pra kombin e përbëjnë ata që jetojnë në Kosovë. Këtu përplasen konceptet e kombit të kuptuar nga rilindësit, në kohën kur shteti synohej dhe ende nuk ishte krijuar, me kombin në kuptimin teorik dhe qasjes emotive ndaj tij. E kam fjalën te keqkuptimi ose përzierja e koncepteve. Si?
Nëse rrjedh gjithçka sipas agjendës ndërkombëtare, ku qëllimi është rrumbullakimi i shtetësisë së Kosovës, por pa të drejtën e bashkimit me Shqipërinë, do të forcohet kosovocentrizmi, të cilin në mënyrë jokritike e absolutizojnë disa qarqe intelektuale e mediale (ato politike jo aq). Në këtë “kosovocentrizëm” “kombit kosovar” i jepen atribute të etnisë (keqkuptim me teorinë e Nexhmedin Spahiut) dhe, praktikisht, e legjitimojnë “të drejtën” që, duke i dhënë prerogativa etnike, t’i jepet edhe gjuha që do të ishte ndryshe nga ajo që paraqet standardi aktual!!! Tashmë ka kohë që disa intelektualë, jo që s’e dinë ta flasin gjuhën letrare, por me qëllim, kur dalin në ekran ose media tjera, flasin ose shkruajnë një gegërishte të Kosovës, ashtu siç e mendojnë ata, duke vendosur një praktikë të re “pararendëse” për një gjuhë e cila do të flitej në Kosovë në bazën e gegërishtes. Rastësisht ose jo, ka kohë që qendrat akademike ose linguistike të Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të ulen dhe t’i diskutojnë rehat çështjet e hapura gjuhësore, dilemat dhe praktikat e reja që kërkojnë standardizim dhe reformë gjuhësore. Në mungesë të këtij harmonizimi, është rreziku i madh që të forcohen edhe më shumë tendencat dhe të ndahet edhe ai element i përbashkët që i bashkon gjithë shqiptarët, pra gjuha. Duke fituar një gjuhë të re standarde, Kosova vërtet rrezikon të shkojë rrugës artificiale të krijimit jo të një kombi të ri “kosovar”, por të një populli të ri, me gjuhë të ndryshme, siç zaten ka pasur shembuj nga historia më e re në Ballkan te popujt fqinjë, të cilët me më pak dallime gjuhësore kanë përfunduar të ndarë.
Nëse balancat gjeostrategjike nuk do ta lejonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nuk do të thotë se kosovocentristët, të cilët me shumë zë thonë se nuk u dashka bashkimi sepse shqiptarët humbin një votë në organizmat ndërkombëtarë (sikur lëvizja kombëtare të ketë qenë për dy shtete e jo për një!), të krijojnë ndasi pa nevojë në trungun etnik.
Të shpresojmë që dialogu aktual Kosovë-Serbi të përfundojë në të mirë të Kosovës, me çka do t’i hapte rrugë pranimit në OKB, ndërkaq aspektet tjera pastaj të trajtohen si një proces i natyrshëm zhvillimi.