Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është i rëndë për të dyja palët.
Daçiq në Forumin e Ballkanit në Budapest ka folur për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE e ka përmendur edhe propozimin e BE-së.
“Nuk e di nëse do të presim të jemi anëtarë të BE-së. Për çfarë perspektive po flasim, kur e dimë se në propozimin franko-gjerman, edhe pse e dimë se sa i dhimbshëm dhe i rëndë është edhe për Beogradin edhe për Prishtinën, ka vetëm një fjali që hap perspektivën evropiane. Pra, më thuani që të paktën ndodh në shekullin e XXI”, tha Daçiq raporton televizioni serb “RTS”.
Daçiq ka folur edhe për Marrëveshjen e Brukselit.
“Marrëveshjen e Brukselit e kemi nënshkruar 10 vjet më parë dhe shumë gjëra nga kjo nuk janë përmbushur. Sikur kemi firmosur një pecetë në këtë restorant”, tha Daçiq.
Ndërsa për “Ballkanin e Hapur” ka thënë se nuk është i diskutueshëm, por për të ka thënë se nuk është zëvendësues i BE-së.
E ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijarto ka thënë se BE-ja duhet të jetë e vetëdijshme se Ballkani Perëndimor është i nevojshëm më tepër se kurrë.
Në forum ka marrë pjesë edhe ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka.
Xhaçka ka thënë se BE-ja kohëve të fundit ka marrë vendime më të motivuara politikisht e më pak racionale.
“BE-ja duhet të jetë e vetëdijshme se është fitimprurëse përfshirja e anëtarëve të Ballkanit Perëndimorë, të cilët do të ishin një lloj mburoje kundër kërcënimeve të mundshme të sigurisë. Kemi partnerë si Italia e Greqia që thonë të njëjtën gjë si Hungaria, se është shumë e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në proceset e BE-së dhe të jenë në hartën e BE-së”, tha Xhaçka.