E gjithë Evropa është përballur me rritje të çmimeve gjatë 12 muajve të fundit, por efekti është më i fortë në Ballkan.

Kjo, për faktin se ndryshe nga Bashkimi Evropian që ka parë inflacion të lartë në faturat e energjisë, në rajonin tonë ai është udhëhequr nga shtrenjtimi i ushqimeve.

Përfundimi del nga një studim i Fondit Monetar për efektet e inflacionit në këtë periudhë, i cili regjistrohet në nivelet më të larta që nga viti 1990.

Në Ballkan 42% e shpenzimeve mujore shkon për ushqime, vë në dukje studimi i FMN-së, e për pasojë kjo ndikon në thellimin e varfërisë.

Çmimet e ushqimeve në Ballkan janë rritur me ritme më të larta se në BE për tre arsye kryesore sipas FMN:

Së pari një përçim më i lartë i çmimeve të ushqimeve nga tregjet ndërkombëtare për shkak të peshës së lartë të importeve.

Së dyti, problemet strukturore të bujqësisë në rajon bëhen shkak për çrregullime të çmimeve që vijnë nga tregjet e brendshëm.

Së treti ndryshimet klimaterike me thatësira e mungesë reshje dëmtuan shumë prodhime vendase sidomos në Bosnjë dhe në Serbi.