Prishtinë, 19 mars, indeks.mk

Takimi në Ohër midis kryeministrit kosovar dhe presidentit serb, për analistin politik Nexhmedin Spahiu, ishte sipas asaj fjalës popullore “U tund mali polli miu”.

“Ky është përshkrimi i takimit të Ohrit mes Vuçiqit e Kurtit. Pritjet ishin qe Kurti e Vuçiq të merren vesh rreth shtegut të përpiktë të zbatimit të Planit Franko Gjerman, por në fund doli një dakordim i zbehtë i përgjithësuar sa për të mos thënë se nuk pati kurrfarë akordi. Në fakt ky ishte një triumf i Vuçiqit i cili po tenton të blejë sa më shumë kohë dhe vuri Kosovën para sfidës së asociacionit para se Serbia të ndërmarrë çfarëdo hapi konkret.”, thotë për indeks.mk analisti kosovar.

Sipas tij, me këtë Albin Kurti dëshmoi se është “më këmbëngulës se paraardhësit e tij, por jo edhe i pjekur politikisht, aq më pak i pajisur me zhdërvjelltësi diplomatike.”

“Sigurisht që Albin Kurti ishte i hendikepuar për shkak se paraardhësit e tij ia kanë zbritur pazarin tepër shumë. Vonesa e implementimit të Asociacionit nuk është një hendikep për Kosovën, po përkundrazi një mundësi për të bërë pazar me të. Imagjinoni sikur tani edhe asociacioni të ishte në fuqi, atëherë Vuçiq do të kërkonte edhe diçka tjetër në këmbim të njohjes.”, vlerëson N.Spahiu.

Sipas tij, “krejt naiviteti i lidershipit politik të Kosovës qëndron në atë se i kanë bërë lëshime Serbisë pa marrë në këmbim njohjen”.
Krijimi i statutit të Asociacionit nga një komision i përbashkët është një shmangie e përgjegjësisë direkte të Kurtit dhe Vuçiqit në persona tjerë dhe marrje të një roli më të madh evropian në këtë punë, thotë Spahiu, duke përfunduar se Albin Kurtit insiston në nënshkrim, pasi nënshkrimi i Planit Franko – Gjerman, do të thotë praktikisht njohje de fakto e de jure e Kosovës.