Ezana Qamili me poezinë “Dritë në errësirë”, është fituesja e mbrëmjes letrare që sonte në Çifte Hamam në Çarshinë e Shkupit u organizua nga Fondacioni Albiz me rastin e 21 Marsit-Ditës Botërore të Poezisë.
Për këtë qëllim, kohë më pare ishte shpallur konkurs letrar, ku ishin paraqitur 32 punime, prej të cilave, për lexim ishin përzgjedhur 16 më të mira. Juria profesionale në përbërje prof.dr.Ajtene Qamili, prof.dr.Mustafa Ibrahimi dhe Daut Dauti poet, përveç çmimit të pare ndau edhe dy çmime të tjera: poezisë “Mall” të Argjira Elmazit ia ndau çmimin e dytë dhe Rinesa Rexhepit të tretin për poezinë “Bota moderne”. U nda edhe një çmim I publikut, Ilfete Sejdisë për poezinë “Edhe unë ëndërroja”.
Ky është manifestimi i 8-të me radhë që ky fondacion e organizon me motivacion për të nxitur krijimtarinë letrare te brezi i ri. Udhëheqësit e Fondacionit me mysafirët këmbyen mendime se si ky manifestim të bëhet edhe më tërheqës për krijuesit e rinj në vitet e ardhshme.