Procesi i vetingut është shumë i rëndësishëm dhe sfidues, posaçërisht në sistemin e drejtësisë. Kështu u shpreh në “rruga drejt”, ambasadorja e SHBA-vë, Angela Ageler, sipas së cilës është shumë e rëndësishme që ky proces, nëse bëhet, të jetë tërësisht transparent dhe i drejtë.
“Vetingu mund të jetë shumë sfidues, ashtu siç e kemi parë në disa shtete të tjera ku nuk ka funksionuar mirë. Është posaçërisht sfidues në sistemin e drejtësisë për shkak të nevojës për të vlerësuar ata që janë tashmë në pozitë dhe në një sistem ku korrupsioni veçmë ekziston, është shumë e rëndësishme të sigurohesh që ai proces është tërësisht transparent dhe i drejtë. Vetingu në SHBA bëhet përpara se të marrësh postin. Nuk kemi mjaftueshëm kohë që t’ua përshkruaj vetingun që unë kam kaluar për t’u nominuar dhe për t’u konfirmuar si Ambasadore e SHBA-së. Shpresoj që ky vend të gjejë një mënyrë për ta zhvendosur ventingun në proces që përpara se njerëzit të marrin postet e tyre, në një mënyrë që është më e përshtatshmja për atë institucion”, tha Ageler.
Ambasadorja e SHBA-ve, Angela Ageler derisa komentoi zhvillimet e fundit politike të ndërlidhura me ndryshimet kushtetuese dhe dallimet mes dy subjekteve më të mëdha politike rreth kësaj çështje, tha se liderët politik së pari duhet të kenë parasysh interesin e vendit dhe të qytetarëve. Sipas saj ndryshimet kushtetuese do të ishin një hap para drejt integrimit të vendit.
“Rruga më e mirë është që kjo të mos bëhet në një ambient të politizuar tej mase me retorikë të politizuar, të ecet përpara si liderë të cilësdo partie duke marrë parasysh interesin më të mirë të vendit dhe të qytetarëve të tij. Kjo përfshin votimin e amendamentit kushtetues dhe nënkupton të shkohet përpara si shtet. Se kur do të ketë zgjedhje, kjo varet nga zyrtarët dhe qytetarët të shprehin vullnetin e tyre tek liderët e tyre. Por shpresa imë më e madhe është që liderët politik do të bëjnë çfarë duhet të bëjnë që të ecet drejt integrimit evropian”, u shpreh Ageler.