Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen sot qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku do të ketë takime me krerët e shtetit si dhe pritet të ketë fjalim në Kuvend. Ajo çfarë ai theksoi nga kryeqyteti i vendit është ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nuk duhet të dramatizohen, transmeton Portalb.mk.

Takimi Van der Bellen – Pendarovski

Presidenti austriak u prit nga presidenti i vendit në një ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Dy presidentët zhvilluan takim sy më sy, i cili u pasua nga takimi plenar i dy delegacioneve.

Temat e bisedës ishin marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë, mundësitë për thellimin e tyre me theks në bashkëpunimin ekonomik, ecuria e integrimit evropian të RMV-së si dhe çështjet e hapura të Ballkanit Perëndimor dhe situata në rajonin më të gjerë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, presidenti austriak theksoi se se do të mbajë fjalim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pikërisht në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Siç tha ai mbrojtja e pakicave në Maqedoninë e Veriut tashmë është diçka që nënkuptohet dhe se ky hap tjetër nuk duhet të dramatizohet.

“”Frustrimi për kohëzgjatjen e procesit është i kuptueshëm, por ju lutemi mos e humbisni qëllimin. Kroacia ka treguar se pritja është e mundur kur të gjitha forcat e rëndësishme politike po tërhiqen në të njëjtin drejtim. Le të punojmë së bashku për pranimin e hershëm të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Unë mund t’ju garantoj se Austria do të jetë në dispozicionin tuaj si një partner i besueshëm në të ardhmen”, tha Van der Bellen.

Presidenti Pendarovski theksoi se Austria është historikisht e pranishme në vendin tonë dhe në rajon, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht. Është një nga vendet e para evropiane që ndjen efektet e proceseve pozitive, por edhe të tendencave negative në Ballkan.

“Biseduam edhe për situatën aktuale politike dhe çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor. Austria, si një mike e dëshmuar e rajonit, ka një rol të rëndësishëm në shtyrjen e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë kuadër kjo vizitë e presidentit austriak tregon edhe urgjencën e dosjes evropiane të RMV-së. Ne ramë dakord që në mungesë të një perspektive të qartë evropiane, euroskepticizmi do të vazhdojë të rritet dhe sigurisht do të jetë një sinjal për disa forca të tjera që punojnë kundër vlerave evropiane”, tha Pendarovski.

Presidenti Stevo dhe Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen. Foto: Presidenca e RMV-së
Presidenti Stevo dhe Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen. Foto: Presidenca e RMV-së

Presidenti austriak gjatë ditës pritet të ketë edhe takime të tjera, si ai me kryetarin e Kuvendit dhe Qeverisë të Maqedonisë së Veriut, si dhe të mbajë fjalim në Kuvend.

Përndryshe, marrëdhëniet diplomatike midis Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut u vendosën më 23 dhjetor 1994. Që i bie se vitin e ardhshëm dy vendet shënojnë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike.