Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në Beograd në suaza të vizitës zyrtare në Serbi do të ketë biseda me kryeministren Ana Bërnabiq, presidentin e vendit Aleksandar Vuçiq dhe me kryetarin e Kuvendit Popullor Vlladimir Orliq. Para takimit me kryeministren Bërnabiq do të nënshkruhen memorandume për bashkëpunim në suaza të nismës Ballkani i Hapur.

Kovaçevski e udhëheq delegacionin në të cilin janë ministrat e Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski, i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, si dhe zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike Aleksandar Bajdevski.

Kovaçevski do të pritet me nderime më të larta shtetore dhe ushtarake, pas së cilës do të ketë takim tet-a-tet me kryeren e Qeverisë së Serbisë, Ana Bërnabiq.

Të dy delegacionet qeveritare, të udhëhequra nga kryeministrat do të mbajnë takim plenar të përbashkët, në të cilën do të bisedohet  për tema nga interesi i qytetarëve të të dy vendeve, si dhe për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve. Pas takimit plenar, është parashikuar nënshkrimi i memorandumeve për bashkëpunim në suaza të nismës Ballkani i Hapur, pas së cilës do të vijojë konferencë e përbashkët për shtyp e dy kryeministrave, Kovaçevski dhe Bërnabiq.

Do të nënshkruhen memorandume për mirëkuptim ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Serbisë, për masat e përmirësimit të qarkullimit të personave dhe mallrave përmes kufirit të përbashkët shtetëror, Memorandum për mirëkuptim – projekt për pagesë elektronike të pagesave rrugore – vendosja e sistemit elektronik të ndërveprueshëm për pagesë rrugore dhe Memorandum për bashkëpunim në miniera dhe energjetikë.