Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim sot po mbahet mbledhja e Kryesisë së partisë, ku po shqyrtohen të gjithë çështjet brendapartiake, njofton Portalb.
Në fillim të mbledhjes, ministri i Punëve të Jashtme dhe zëdhënës i partisë Bujar Osmani theksoi se në mbledhje do të shqyrtohen të gjitha çështjet.
“Do të diskutohen të gjitha çështjet që ngelën pa u diskutuar në mbledhjen e kaluar. Do të shqyrtohen të gjitha çështjet të cilat do të hapen nga anëtarët e kryesisë”, tha Osmani.
Ndërsa, nënkryetari i partisë dhe pjesëtar i të ashtuquajturit “Grupi i zjarrit”, Izet Mexhiti para hyrjes në mbledhje deklaroi se kjo është një ditë e rëndësishme.
“Mendoj që është një ditë e rëndësishme ku BDI duhet të demonstrojë kapacitet demokrati”, tha Mexhiti duke shtuar se për më shumë do të prononcohet pas mbarimit të mbledhjes.
Kujtojmë, më 24 shtator në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, janë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit. Ata theksojnë që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.
Megjithatë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një takim me bashkëpartiakët në Gostivar më 15 janar, u dërgoi porosi funksionarëve të “Grupit të Zjarrit” se nuk do ta largojë nga pozita zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, pasi siç deklaroi, për atë ka vendosur shumica në parti. Ai shtoi se funksionarët e pakënaqur nuk kanë hequr keq pasi që tërë jetën kanë pasur funksione.
Megjithatë, kjo porosi e Ahmetit nuk i ka zmbrapsur funksionarët e “Grupit të Zjarrit” që të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Ahmeti me ministrat dhe anëtarët tjerë të pushtetit ekzekutiv mbajnë tubime me qytetarët, ndërkaq paralelisht edhe “Grubi i Zjarrit” mban tubime me qytetarët nën logon e BDI-së.