Monday, December 4, 2023

Fillon ndërtimi i Korridorit 8, autostrada Shkup – Tiranë “nis” nesër nga Tetova

Ky projekt i rëndësishëm, do të mundësojë lidhjen me komunikacion rrugor modern midis Shkupit me Tiranën, por në mënyrë indirekte, edhe me Prishtinën, kurse rëndësi të jashtëzakonshme ka edhe në planin rajonal e ndërkombëtar, përfundimi i të cilit pritet në vitin 2027

Më 4 prill vendoset gurthemeli i Korridorit 8. Hedhja e betonit të parë do të bëhet në Tetovë, nga ku fillon edhe aksi i parë i kësaj autostrade që të çon deri në Gostivar dhe në total është i gjatë 17.5 kilometra. Në gurthemelin e Kooridorit 8 përveç kreut shtetëror merr pjesë edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)- Ali Ahmeti, përfaqësues të korit diplomatik dhe mysafirë të tjerë të ftuar nga vendi dhe rajoni.

“Së pari do të kemi ndërtimin e një rrugë ndihmëse, paralele që komunikacioni do të hidhet në atë rrugë dhe pastaj do të fillojë zgjerimi dhe ndërtimi i autostradës me parametra europianë. Ajo rrugë do të jetë, ja si mund ta tregojmë, nga autostrada momentale dhe hekurudha në mes të këtyre dyjave që do të hidhet komunikacioni në atë rrugë dhe pastaj do të nisë zgjerimi dhe ndërtimi i rrugës Tetovë-Gostivar”, thonë nga N.P. “Rrugët Shtetërore.

Aksi i dytë Gostivar-Kërçovë i gjatë 30,3 kilometra dhe njëherësh një nga terrenet më të vështira për ndërtim, por drejtori i Rrugëve Shtetërore, Ejup Rustemi, është shprehur se sipas analizave të kompanisë “Bechtel & Enka”, nuk pritet që këtu të dalë ndonjë e papritur. E sa i përket pjesës nga Struga në Qafë Thanë, ai në takimin e fundit me drejtorin e Rrugëve të Shqipërisë zbuloi se është shqyrtuar mundësia për një shkurtim rruge.

“Rruga nga Tirana deri në kufi do të jetë diku 73 kilometra dhe pastaj nga pika e re, që mund të jetë pikë e përbashkët kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, deri në Strugë mund të ketë 12 kilometra. Do të thotë nga Struga deri në Tiranë do të kemi lidhje autostradash prej 82 kilometrash.

“Për sa orë do bëhej? -Meqë shpejtësia e lëvizjes do të jetë prej 100 – 130 km/h, mund të llogaritni se nga Tirana në Strugë do të arrijmë për më pak se një orë”, informojnë nga N.P. “Rrugët Shtetërore”.

Sa i përket buxhetit të ndarë për mbikëqyrjen e ndërtimit të Korridorit 8, Rustemi tregoi se shuma për këtë projekt është më e vogla në krahasim me buxhetin për mbikëqyrje të autostradave të tjera, vetëm 1,69%, pra nga 1 miliard e 300 milionë euro sa kushton projekti, për mbikëqyrjen janë ndarë 22 milionë e 300 mijë euro.

“Në bazë të përvojave të mëparshme, kur e shohim se sa kemi paguar ne për mbikëqyrjen e të gjitha projekteve të tjera, lirshëm mund të themi se kjo është një prej mbikëqyrjeve më të lira që ne kemi angazhuar në RMV por njëkohësisht edhe në rajon“, tha Ejup Rustemi, drejtor N.P. “Rrugët Shtetërore”.

Gjithë korridori 8 së bashku me atë 10D në tërësi janë 110 kilometra autostradë, që pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027, pra për 4 vite e 7 muaj.

Në një deklaratë të mëparshme për Indeks.mk, akademik Abdylmenaf Bexheti tha se Korridori 8, Jo vetëm në aspektin gjeostrategjik e kombëtar (shqiptar), që është më i madhi projekt nga pavarësia e vendit, i cili qe do të lidhë Detin e Zi me atë Adriatik dhe Lindjen me Perëndimin, por edhe në aspektin ekonomik, do të ketë ndikim shumë të madh në rejon.

“Lufta në Ukrainë vetëm se vërtetoi rëndësinë kapitale të “poshinave furnizuese” dhe lidhjet e tyre me pikat e destinimit. Kur kësaj t’i shtohen edhe angazhimet e resurseve vendore në ndërtimtarinë e ulët, projekti ka impakt të pallogaritshëm në prerje të momentit, jo vetëm financiare por edhe ekonomike e njerëzore (siguria në rrugë është impakt i pallogaritshëm për nga rëndësia e jetës). Shpresoj që dinamizimi të shkojë sa më mirë se një vit e më pare, përfitimet ekonomike do të multiplikohen”, vlerëson Bexheti.

Korridori 8 do të shtrihet në gjatësi prej 68 km përmes një autostrade me 6 korsi që do të lidhë Tetovën me Gostivarin, Kërçovën, Strugën e deri në Qafë Thanë, kurse Korridori 10-D do të lidh Prilepin dhe Manastirin dhe si projekt shtrihet në gjatësi prej 40 km dhe realizohet me 6 korsi, derisa periudha e realizimit të projektit është 6 vite nga fillimi i punimeve.