Roli i gruas shqiptare në luftën për liri, qoftë si bijë, nënë, motër, bashkëshorte apo bashkëveprimtare ishte i madh dhe i pamatshëm, që nga koha e Perandorisë Romake, Bizantit, sundimit otoman, bullgar, grek, serb dhe jugosllav e deri në ditët tona por duket se jo edhe aq i vlerësuar në shoqëri. Mbretëresha Teutë ishte në krahë të Mbretit Agron, Donika Kastrioti ishte bashkë me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Marigona Posi e qëndisi flamurin kombëtar kur u shpallë pavarësia e Shqipërisë, Shotë Galica bashkë me Azem Galicën, ishte Marie Shllaku që kaloi tortura çnjerëzore në burgjet jugosllave pas luftës së dytë botërore, deri sa e pushkatuan, Nëna Nazife rriti dhe edukoi në frymën e Nënës Shqipëri, Kuptimin dhe Frymëzimin e shqiptarëve për liri dhe Bashkim Kombëtar, të Amshueshmin Bacë Adem Demaçi, Motrat Qiriazi përmes arsimit vendosën një themel të fortë në luftë për liri, Zahide Jashari, gruaja e Shaban Jasharit dhe Nëna e bijve Adem dhe Hamëz Jashari, nipave dhe mbesave të saj që u flijuan në një sakrificë të paparë dhe të padëgjuar deri në atë kohë për liri, Hanife Mala ishte shoqëruese e Heroit të Kombit Rexhep Mala, deri në kohën kur kaloi në përjetësi në Kodrën e Trimave, Xhevë Ladrovci ishte nuse pa dasmë e Heroit Fehmi Lladrovci që shkoi në shtëpinë e tij sa ishte Fehmiu në burg dhe me të cilin asnjëherë nuk u nda, që nga lufta në Kroaci e deri te rënia heroike te Guri i Gradinës, bashkë me Fatime Shalën. Nënat, gratë dhe motrat e Xhavit Hazirit dhe dr. Hafir Shalës qëndruan dhe po qëndrojnë stoikisht dhe krenarë me Xhavirin dhe Hafirin. Ishte Shukrije Ramadani që jetoi dhe po jeton me frymën e veprës së Heroit të Kombit, Agim Ramdani. Është Ferdonije Qerkezi që ende e vazhdon luftën me ata që na dhunuan lirinë duke ia marrë më të dashurit e saj, burrin dhe katër djemtë e saj dhe se këtë luftë po e vazhdon në Shtëpi Muze ku bashkëjeton me kujtimet për më të dashurit e saj.