Rexhep Selimi i cili po akuzohet për krime lufte, në seancën gjyqësore sot në Hagë ka thënë se nuk ka të bëjë asgjë me krimet e pretenduara në aktakuzë.

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se vendosi t’i linte të gjitha për t’ia bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Lashë ëndrrat e mia në Drenicë, lashë studimet, dhe u bëra pjesë e UÇK-së, ju bashkova familjes Jashari. E kishte emrin ushtri, por njerëz kishim pak. Të ishe pjesë e UÇK-së, do të thotë të ishe armiku i Serbisë, dhe mund te vriteshe, apo të paktën arrestoheshe, siç ndodhi me vëllain tim”, tha Selimi.

“Donim të organizonim ushtri, por nuk ia dolëm, s’ia arritëm. S’kishim njerëz e armë. Donim ta mundnim Serbinë, por nuk ja arritem pa ndihmen e shteteve nga jashtë. Ne nuk kishim kazerma, por kishim shtepite e familjeve tona dhe tjera te cilet nga strehonin. Nuk kishim akademi ushtarake. Nuk kishim uniforma, i sajonim, disa i blinim, e disa i ngjyrosnim qe te dukeshim si ushtarë”, tha Selimi në Hagë.

“Lufta nuk është e mirë asnjëherë për askënd. Por, ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb, e nderkohë dhuna agresive vazhdonte kundër popullatës në Kosovë”.

Pas themelimit të kësaj Gjykate, Selimi ka thënë se nuk kishte frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia.

Në fund ai tha se ka besim se e vërteta do të nxirret, dhe ai bashkë me të tjerët do të kthehen të lirë në Kosovë.

“Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi të gjithë. Qëndroj përballë jush, se në fund të procesit do të vendosni në pafajësinë time. Në këto çaste kur ne po flasim, e po na shohin bashkëkombësit, kam shumë besimin se të gjithë së bashku do të nxjerrim te vërtetën, dhe unë bashkë me të tjerët, do të kthehemi në vendin tone të lirë për të cilin luftuam dhe punuam gjatë gjithë jetës tonë”, përfundoi fjalën e tij Selimi në Gjykatën Speciale në Hagë.