Szunyog bën thirrje që sa më shpejt të themelohet Komiteti i Monitorimit në zbatimin e ujdisë së Ohrit.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se marrëveshja për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një moment historik në procesin e dialogut.

Szunyog konsideron se dakordimi për marrëveshjen në Bruksel, dhe më pas edhe për zbatimin e saj, në Ohër, janë dy dokumente të ndara që e plotësojnë njëra-tjetrën, shkruan Reporteri.

“Kjo marrëveshje e cila është në fakt pako e dy dokumenteve, njëra e dakorduar më 27 shkurt dhe tjetra aneksi i implementimit më 18 mars në Ohër, është një moment historik në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe krijon realitete të reja si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Marrëveshja e rëndësishme e 27 shkurtit specifikon kontekstin politik derisa aneksi i dakorduar më 18 mars është aneks implementimi me hapat konkret se si të arrihen qëllimet të cilat janë vendosur në këtë deklaratë apo marrëveshje të arritur në shkurt. Pra të dyjat janë të rëndësishme dhe e plotësojnë njëra-tjetrën”, ka thënë Szunyog në TV1.

Ambasadori i BE-së tha se nuk e shohin problem mosnënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, një gjë të cilën Serbia po refuzon ta bëjë, ndërsa Kosova është treguar e gatshme.

”Ne nuk e shohim si problem. Për ne dhe meqë ra fjalë kjo është një gjë që është dakorduar nga të dyja palët. Marrëveshja është e vlefshme, ligjërisht e obligueshme nga deklarata të cilën e ka dhënë zv/kryesuesi i Komisionit z. Borrell dhe kjo është diçka që ne e konsiderojmë të mjaftueshme sa i përket kësaj marrëveshje dhe sa i përket detyrueshmërisë”, ka deklaruar Szunyog.

Sa i përket komitetit të zbatimit, ai ka thënë që duhet të themelohet sa më shpejt dhe të jetë strukturë gjithëpërfshirëse dhe efikase.

“Komiteti i Monitorimit duhet të themelohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Kolegu im, përfaqësuesi special Lajçak dhe ekipi i tij janë duke punuar në mënyrë intensive dhe në ditët në vijim do të mund të shohim. Roli natyrisht do të jetë shumë i rëndësishëm sepse në të vërtetë jo vetëm marrëveshja, por më e rëndësishmja është që duhet të shohim implementimin e duhur të të gjitha zotimeve që të dyja palët i kanë marrë”, tha ai.

“Ne do të na duhet të presim për diskutime dhe punën të cilën do ta bëjë përfaqësuesi z. Lajçak, por duhet të kemi një strukturë, e cila është gjithëpërfshirëse por dhe efikase që ta monitorojë të gjithë procesin e implementimit”, ka thënë ambasadori Szunyog.