Vuçiq me tone kërcënuese: Nëse sulmohen njerëzit tanë, përgjigja do të jetë e ashpër.
Duke folur për serbët në Kosovë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nëse ata sulmohen, përgjigja do të jetë e ashpër.
Ai i është drejtuar publikut këtë mbrëmje, ku ka folur çështje të ndryshme, përfshirë marrëdhëniet me Kosovën.
“Çdonjëri duhet ta dijë që nëse sulmohen njerëzit tanë, përgjigja jonë do të jetë e ashpër”, ka thënë Vuçiq, raportojnë mediat serbe, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, Vuçiq është treguar i kujdesshëm ta sqarojë që ai nuk po kërkon konflikt me NATO-n. Madje, ka thënë se janë të çmendur ata që mendojnë kështu.
“Kushdo që mendon se ne duhet të shkojmë në një konflikt me NATO-n, do t’i them që është i çmendur”, ka deklaruar Vuçiq.
“Nuk po kërkoj një konflikt me ata, nuk kemi nevojë për një konflikt me botën perëndimore. Edhe po të donim, nuk do të mundnim. Pyetja është nëse mundet Rusia”, ka deklaruar Vuçiq.