Qendra Sportive e Bayernit të Mynihut është ndër më modernet në botë, por ka një problem… ka shumë spiunë. Ose të paktën ka një spiun që është shumë aktiv.

U bënë vite që në Bavari diskutohet për këtë problem. Janë përballur me të trajnerë të mëdhenj si Guardiola e Ancelotti, apo më së fundmi edhe Kovac e Nagelssmann. Por asgjë s’ka ndryshuar.

Aq sa edhe Tuchel, që ka shkuar prej më pak se një muaji, përjetoi spiunimin e parë:

“Do të ishte më mirë nëse gjërat që ndodhin në dhomat e zhveshjes të mbeteshin aty”, deklaroi tekniku duke iu referuar episodit të zënkës ku Mane goditi me grusht Sane.

Episodi është i rëndë, por ai ka ndodhur pas dyerve të mbyllura, larg syve të personave të jashtëm. Në këtë mënyrë, është e vështirë të shpjegosh përveçse me ekzistencën e një spiuni faktin që vetëm pak orë më pas incidenti ishte në faqet e para të gazetave.

Precedentët

Në vitin 2018, Kovac, që sapo kishte shkuar te Bayerni, duhej të menaxhonte motivet e tensionit të brendshëm, duke i diskutuar edhe me mediat që ishin në dijeni të përballjeve private, si për shembull kur James Rodrigez i kishte bërtitur trajnerit “Këtu nuk jemi në Franfkurt”, duke iu referuar Eintrachtit në të cilin Kovac kishte qenë më parë.

Tekniku akuzohej për një turnover të ekzagjeruar, pa marrë parasysh statusin e disa lojtarëve. Në atë kohë, drejtori sportiv, Salihamidzic, ndërhyri në lidhje me çështjen, duke deklaruar.

“Kjo gjë duhet të ndryshojë, do ta zbulojmë se kush është ai që nxjerr në publik këta zëra, do të zbulojmë se si gjëra të tilla kanë dalë në publik”.

Asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi, spiuni bën jetë të qetë në qendrën bavareze, siç bënte edhe para vitit 2018. Në shkurtin e 2017, Ancelottit, në një konferencë shtypi, i treguan një foto të skemës së tij taktike në tabelën që ia kishte shpjeguar skuadrës.

Dikush nga lojtarët ia kishte dërguar një gazetari të Bild. Në 2014 u publikua lista e dënimeve të vendosura nga Guardiola për ata që nuk respektonin rregulloren e brendshme.

Edhe Pep

Në vitin 2016, ishte pikërisht Guardiola, që iu bë publik një debat i tij me mjekët e klubit, që foli në lidhje me këtë tematikë, duke u shprehur:

“Gazetarët janë shumë shumë të zotë, por normalisht këto gjëra duhet të qëndronin te dhomat e zhveshjes. Ai që i ka nxjerrë e ka bërë për të më goditur mua”.

Guardiola pastaj paralajmëroi Ancelottin, që pak muaj më pas do ta zëvendësonte në stolin bavarez.

“Unë vitin tjetër nuk do të jem këtu, por spiuni po. Nuk do të më godasë më mua, por klubin dhe skuadrën. Nuk e di se kush është, por kjo çështje i përket klubit. Nuk e di se kush është, por po e mora vesh, do të priten koka. Kushdo që të jetë, nuk do të luajë më me mua”.

Gjithsesi, pothuajse 10 vjet më pas, problemi ende ekziston. Qendra sportive e Bayernit ka shumë spiunë, ose të paktën një, por shumë të aftë ama.