Bilanci i numrave në Parlament midis pushtetit edhe opozitës, bllokimi i ligjeve për Korridoret 8 dhe 10 D, si dhe gjasat gjithnjë e më të vogla që të miratohen ndryshimet e nevojshme kushtetuese për futjen e komunitetit bullgarë në Preambulë, sipas njohësve të rrethanave politike në vend mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Politikologu Bllagojçe Atanasoski për PRESSonline.al, thotë se në këtë situatë politike në të cilën gjendemi nuk janë të nevojshme zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe se nëse ato shpallen mund vetëm se ta komplikojnë edhe më shumë situatën politike.
“Ne jemi mësuar se në vend që vendi të ecë përpara në sferat e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror, dhe të ketë një konsensus të përgjithshëm të përbashkët midis të gjithë aktorëve politikë relevantë në skenën politike, fatkeqësisht, në vendin tonë shohim një konflikt të vazhdueshëm mes elitave politike dhe prandaj rezultatet e çdo plani në Maqedoni janë të tilla – dhe më shumë se zhgënjyese”, tha Atanasoski për PRESSonline.al
Në anën tjetër, gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Aco Kabranov vlerëson se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Nuk mendoj se do të ketë zgjedhjet të parakohshme, por të rregullta vitin e ardhshëm bashkë me ato presidenciale. Do të fillojë ndërtimi i korridoreve! Kundërshtimi i Mickovskit për Korridorit, është e përafërt me politikat e Maksim Dimitrievskit dhe të ngjashmit si ai. Nuk jam optimist se ndryshimet kushtetuese mund të miratohen para zgjedhjeve, andaj Shqipëria do ta vazhdojë rrugëtimin e saj evropian, ndërsa ne fatkeqësisht do ta lëshojmë këtë mundësi që e kemi”, tha Kabranov për PRESSonline.al