Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sot do të mbajë takim me koordinatorët e grupeve parlamentare, ku një nga temat pritet të jetë se si dhe në cilin komision parlamentar do të prezantohet kontrata e Qeverisë me “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-D.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi ditë më parë deklaroi se në këtë takim koordinues është e mundur të arrihet një marrëveshje, por pyetja është se a do të pajtohet VMRO-DPMNE opozitare, koordinatori i së cilës Nikola Micevski nuk merr pjesë në takime.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së para dhjetë ditësh përmes një letre kanë kërkuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski që kontratën, e cila është e klasifikuar, t’ua dorëzojë përfaqësuesve të zgjedhur që kanë certifikatë sigurie. Në VMRO-DPMNE janë nëntë të tillë.
Qeveria më pas njoftoi se përfaqësuesit e saj dhe anëtarët e Komisionit për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d do të paraqesin dokumentacionin dhe detajet e kontratës, por VMRO-DPMNE u përgjigj se nuk mund t’u prezantohet vetëm kontrata sepse ata që kanë çertifikatë sigurie kanë të drejtë aksesi në çdo dokument të shënuar “sekret shtetëror”.