Sunday, June 4, 2023

Grubi: E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bruksel, qytetarë dhe politikanë të saj kanë frymë pro-amerikane dhe pro-europiane!

Sot, Maqedonia e Veriut feston Ditën e Fitores mbi Fashizmin dhe Ditën e Evropës, 9 majin. Kanë kaluar 78 vjet nga përfundimi i luftës më shkatërruese në histori, Lufta e Dytë Botërore, dhe 73 vjet nga Deklarata e Ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman, në të cilën ai prezantoi idenë e tij për një formë të re politike dhe bashkëpunimi ekonomik në Evropë, gjë që do ta bënte të pamendueshme luftën midis kombeve evropiane, shkruan Indeks.mk

Përkujtimi i numrit të madh të viktimave në luftën kundër fashizmit, por edhe i vlerave mbi të cilat u ndërtua Europa – paqja, solidariteti, bashkimi, kërkon investim të vazhdueshëm në procese që nuk do ta kthejnë rrotën e historisë në disa të vështira dhe kohë të errëta. Nëse deklarata e Schuman-it ishte hapi i parë drejt krijimit të një komuniteti evropian, fillimisht për qymyrin dhe çelikun, sot kemi një BE me 27 shtete anëtare ku jetojnë më shumë se gjysmë miliardë njerëz, sot 9 maji është sinonim i konfirmimit të këtyre vlerave me një betejë kundër tendencave moderne që ato vlera duan t’i gërryejnë ose prishin.

Zëvendëskryeministri i pare i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi me rastin e Ditës së Europës tha se Maqedonia si vend ka një histori të bujshme guximi dhe pajtimi mes popujve, dy pika kyçe këto të cilat kanë sjell progresin e shtetit.

Grubi ndër të tjera tha se Maqedonia e Veriut meriton të ardhme europiane, sepse qytetarët dhe politikanët e denjë të këtij vendi janë të orientuar drejt politikave progresive europiane.
“Kontinenti ynë, vendi ynë ka histori, histori pajtimi dhe guximi. Në vitin 1991 në kishim guximin të shpallemi si shtet i pavarur, në vitin 2001 kishin guxim të bëjmë paqe dhe të ecim së bashku drejt rrugës së progresit, kemi pasur ndër vite guximin për të nënshkruar marrëveshje paqe për fqinjësi të mirë me miqtë tanë, poashtu dëshmuar se kemi guxim edhe për të ndërmarrë mbi vete sfida që vendin ta bëjmë pjesë të BE-së. Ky vend ka qytetarë dhe politikanë që kanë frymë pro amerikane dhe pro europiane. Ne jemi të vetëdijshëm se paqja dhe perspektiva vjen kur jemi bashkë dhe punojmë së bashku për vendin tonë, sepse vendi ynë meriton të ardhme europiane.”, deklaroi Grubi.

Ndërgjegjësimi se jo vetëm luftërat, por edhe korrupsioni kërcënojnë paqen, festimi i 9 majit, rezultoi edhe me një nismë madhore evropiane, e cila synon unifikimin e ligjeve kundër korrupsionit në të gjitha shtetet anëtare.

“Dhe aktet tinëzare të korrupsionit mund të kërcënojnë gjithashtu paqen dhe sigurinë ndërkombëtare duke mundësuar terrorizmin, krimin e organizuar dhe krime të tjera. Kjo është arsyeja pse ne duhet të zgjerojmë shtrirjen tonë dhe të luftojmë korrupsionin në mbarë botën. Ne po dërgojmë një mesazh të qartë: BE-ja nuk është e hapur për biznes ndaj atyre që janë të përfshirë në korrupsion, kudo që të ndodhë”, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell pas prezantimit të propozimeve për luftë ndaj korrupsionit, përcjell Indeks.mk

Planet vijnë vetëm disa muaj pasi një skandal ryshfeti në Parlamentin Evropian tronditi BE-në dhe pasi një studim i vitit 2022 tregoi se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz për qytetarët e BE-së – 68 përqind e tyre besojnë se ai është ende i përhapur. Midis propozimeve është një plan për të hartuar një “listë të zezë” të personave fizikë dhe juridikë jashtë BE-së të akuzuar për “akte të rënda korrupsioni” në mbarë botën.

Propozimet do t’i afronin 27 vendet anëtare të BE-së me përkufizimet standardizuese të asaj që përbën korrupsion, që do të përfshinte tregtimin e ndikimit, shpërdorimin e detyrës, pengimin e drejtësisë dhe pasurimin e paligjshëm përveç ryshfetit. Propozimet do t’i detyrojnë vendet anëtare të harmonizojnë kushtet e burgimit, për sa i përket dënimeve minimale dhe maksimale, dhe synojnë të lehtësojnë bashkëpunimin ndërkufitar midis forcave policore të vendeve anëtare, duke qenë se grupet e mëdha kriminale veprojnë dhe në disa vende njëkohësisht.

Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian përgjegjëse për vlerat dhe transparencën,Vera Jurova, theksoi se dy faktorë ulin besimin e njerëzve në demokraci: shpërdorimi i pushtetit dhe korrupsioni.

Maqedonia e Veriut e cila hapi negociatat me BE-në, po përballet sot me të njëjtat sfida dhe aktualisht është duke u zhvilluar një proces shqyrtimi për pajtueshmërinë e Maqedonisë me legjislacionin evropian, por kritikat më të mëdha që vijnë nga Brukseli i referohen rezultateve të pamjaftueshme në trajtimin e korrupsionit.(Indeks.mk)