Priten reshje të dendura shiu në Ballkan.

Masat ajrore të fuqishme ciklonike që kanë përfshirë Ballkanin dhe Italinë mbesin mjaft aktive edhe ditëve të ardhshme ku vende-vende do të ketë reshje mjaft intensive shiu.

Fatmirësisht në territoret e Kosovës nuk parashihen vërshime të përmasave të mëdha, por në shumë pjesë të Ballkanit mund të ketë vërshime për shkak të reshjeve të shpeshta.

Më të rrezikuara nga vërshimet janë shumë vise të Sllovenisë, Kroacisë, jugu u Bosnjës dhe Hercegovinës dhe jugperëndimi i Malit të Zi. Në këto rajone priten reshjet më të dendura.

Reshjet nuk do të mungojnë as në territoret shqiptare, por do të jenë në sasi më të pakta dhe të herëpashershme.

Reshjet më të dendura priten në veri dhe veriperëndim të Shqipërisë.

Në përgjithësi në territoret tona nga nesër do të jetë pak më ngrohtë dhe do të ketë edhe intervale kohore me diell, megjithatë vranësirat dhe rigat e rrebeshet lokale të shiut do të jenë gjithnjë të mundshme. /Meteoballkan