Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, foli për rëndësinë e afatit ligjor dhe procedurën e betimit për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.

Ajo shpjegoi se me aq sa ka informata afati ligjor për betimin është 30 ditë, dhe nëse kryetarët nuk japin betimin brenda këtij afati, atëherë shkohet në zgjedhje të reja.

“Pak më parë e shikova Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe në nenin 57 është përcaktuar se kjo duhet të ndodhë në afatin prej 30 ditëve. Pra, afati nuk ka përfunduar. Në momentin që kalon afati ligjor pavarësisht nëse është 15 apo 30 ditë, nëse kryetarët nuk e japin betimin në këtë afat atëherë shkohet në zgjedhje”, ka theksuar Daka.

Në pyetjen nëse është e lejuar që në një komunë të bëhet betimi i kryetarit, siç ka ndodhur sot në komunën e Mitrovicës së Veriut, e në të tjera jo, ajo është shprehur: “Po, sepse secila komunë i ka specifikat e veta dhe me siguri se nga ministria përkatëse janë duke u bërë përgatitjet dhe në momentin që ata konsiderojnë se ka kushte për t’u bërë betimi i tillë e thërrasin seancën inauguruese”, ka shtuar ajo, transmeton RTKlive.

Gjatë intervistës, ajo gjithashtu përmendi se nuk ka asnjë specifikë të veçantë në ligj rreth vendit se ku duhet dhënë betimi nga kryetarët e zgjedhur, megjithëse theksoi se nënkuptohet se ai duhet të bëhet në Kuvendin Komunal.

“Ligji thjesht parashikon se betimi duhet të jepet para asamblistëve dhe kur duhet të mbahet dhe në çfarë kohe, por nuk përcakton mënyrën se a duhet të jetë në sallën e kuvendit. Ligji apo ligjdhënësi nuk ka menduar se mund të ketë situata kur një kryetar i komunës duhet ta jep betimin në shtëpi private, në rrugë apo kudo qoftë. Ajo nënkuptohet se kryetari i komunës e jep betimin në ndërtesë të Kuvendit Komunal dhe jo kudo. Por gjithsesi, ligji apo ligjdhënësi nuk ka paraparë detaje të tilla sepse nuk ka paraparë situata të tilla”, ka nënvizuar Daka.

Daka nuk komentoi direkt çfarë kanë dashur të thonë ambasadorët e shteteve të QUINT-it me deklaratën e tyre të mbrëmshme, të cilët për kryetarët e zgjedhur në komunat veriore theksuan se do të kryejnë punë teknike. Megjithatë vuri në pah se ligji nuk njeh term të tillë si kryetar teknik.

“Nuk di çfarë kanë dashur të thonë por ndoshta kanë menduar se ata kryetarë nuk kanë rol politik por teknik. Por në fakt, kjo terminologji nuk besoj se njihet dhe nuk ka kryetar teknik apo jo teknik apo çfarëdo qoftë. Ata janë kryetar të zgjedhur me votat e qytetarëve të një komune dhe janë kryetar të komunës. Deri më tani nuk kam dëgjuar se ka ndonjë term të tillë – kryetar teknik. Ata janë kryetar të zgjedhur nga qytetarët e komunës dhe janë kryetar”, ka përfunduar Daka.