Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën mbrëma të 24 majit ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin special ët qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Përmes një postimi të bërë në Twitter, kreu i Qeverisë tha se në këtë bisedë me Sarrazin u theksua zbatimi i plotë, shpejt e i pakushtëzuar i marrëveshjeve në dialogun e Brukselit.

“Pata një telefonatë shumë të mirë mbrëmë me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për zbatimin e marrëveshjes së lëvizshmërisë të nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit, dhe të Marrëveshjes Bazë & Aneksit në dialogun e Brukselit. U theksua rëndësia e zbatimit të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërsa, afër dy javë më parë, Sarrazin në një intervistë për gazetën gjermane “Welt” tha se nëse palët do të përkushtohen për zbatimin e marrëveshjes, do të ishte mundësi historike për të bërë përparim të rëndësishëm.

“Disa javë më parë, të dyja palët ranë dakord për një marrëveshje të rëndësishme bazë dhe zbatimin e saj. Nëse tani arrijmë t’i bëjmë të dyja palët të përkushtohen vërtet për zbatimin, do të kishim mundësinë historike për të bërë përparim të rëndësishëm. Unë jam ende i bindur se ne mund ta bëjmë atë”, tha Sarrazin.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, I dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor u shpreh se tani për herë të parë ka koncepte në tryezë.

“Mund të mos ketë ende ndonjë marrëveshje mes dy palëve për këtë çështje. Por të paktën për herë të parë ka koncepte në tryezë se si mund të pajtohen interesat serbe dhe aftësia e Kosovës për të vepruar si shtet. Deri më tani, ky ka qenë gjithmonë vetëm një debat teorik. Nëse arrijmë të futemi në një proces pozitiv dhe të ndërtojmë besim të ndërsjellë se ne vërtet duam zgjidhje – atëherë mund të arrijmë shumë larg”, tha Sarrazin për gazetën gjermane.