Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë të martën në Bruksel se Mali i Zi është shteti më i avancuar kandidat në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe është i pari në radhë për t’u anëtarësuar në BE.

Ai këtë e ka thënë duke folur në Bruksel para gazetarëve së bashku me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë në selinë e BE-së prej kur është zgjedhur në postin e presidentit të këtij shteti.

Borrell ka falënderuar Malin e Zi për përshtatje me qëndrimet e Bashkimit Evropian në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë. Ai ka thënë se ka forca të cilave nuk i pëlqen kjo politikë e Malit të Zi dhe dëshirojnë ta destabilizojnë atë.

Prandaj, ka thënë Borrell, BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë Malin e Zi të përballet me këto sfida.