Presidentja Vjosa Osmani është deklaruar për takimin e shkurtërme presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Moldavi, ku ishin të pranishëm edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Paraprakisht Osmani dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndarazi me Macron, Scholz dhe Borrell.
“Në fund të takimit me Macron dhe Scholz ata propozuan që të kishte edhe një diskutim joformal me presidentin e Serbisë, natyrisht në takim ishte edhe përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell. E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta , ku edhe njëherë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë. Por, unë do të vazhdojë të punoj me partnerët tanë, me Gjermaninë, me Francën, me SHBA-në si aleat yni kyç, por edhe me shtetet e tjera prej disa prej çështjeve që i propozuan edhe presidenti Macron, edhe kancelari Scholz, e që i ka propozuar edhe sekretari i shtetit amerikan, Blinken. Ka mundësi që të gjinden zgjedhje përpara. Vullnetin e kemi të përbashkët dhe ai është Kosova sovrane dhe e pavarur të jetë e suksesshme në gjithë territorin e saj. Natyrisht asnjëherë duke mos i ikur obligimeve që t’i mbrojmë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pakicën serbe”, ka theksuar Osmani në një intervistë ekskluzive për RTK-në nga Moldavia, ku ka marrë pjesë në Samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kishinau të Moldavisë.
Ajo ka thënë se zgjidhjet për shtensionim të situatës ekzistojnë por ato duhet të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, derisa ka thënë se takimi trelateral ka qenë propozim i përbashkët i Macronit dhe Scholzit.
Ajo ka thënë se fillimisht takimi trelateral Macron-Scholz-Osmani ka qenë propozim i palës franko-gjermane, derisa në fund të këtij takimi ka qenë një insistim i tyre që të ketë edhe një diskutim formal me presidentin e Serbisë.
“…e kam bërë të qartë se unë nuk negocioj sepse negociatat bëhen në Bruksel dhe Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar qartë se kush i zhvillon ato negociata. Megjithatë si presidente e vendit natyrisht i respektoj propozimet e aleatëve tanë, të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin shumë për stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Jemi ulur kemi diskutuar. Unë para tyre kam kërkuar nga Vuçiqi që të largojë ushtrinë nga kufiri, që t’i largojë bandat kriminale nga Kosova. Që të zbatojë listën e gjatë të marrëveshjeve të cilat nuk i ka zbatuar. E kam pyetur se a ka marrëveshje apo jo sipas tij sepse ai paraqitet para palëve të tjera kinse i respekton marrëveshjet por publikisht del dhe thotë se nuk do t’i zbatojë. Pra, janë gjëra që i kemi bërë në mënyrë shumë korrekte dhe konstruktive, siç janë kërkesat për sqarime, duke treguar se ne jemi të gatshëm ta gjejmë rrugën përpara bashkë me aleatët. Ne bisedojmë me ta për rrugën përpara, kurse obligimet që Kosova i ka marrë në marrëveshje, edhe njëherë sot kam treguar se të gjitha institucionet tona janë të përkushtuara t’i zbatojnë dhe nuk do të ikim prej tyre. Në anën tjetër Vuçiq si zakonisht ankohet, bërtet e shumëçka tjetër, por kjo është natyra e tij”, ka shtuar presidentja.
Ajo ka thënë se Vuçiq nuk kishte asnjë përgjigje dhe si zakonisht kishte menjëherë akuza e shumëçka tjetër, të cilin presidentja e ka vlerësuar si një mentalitet i së kaluarës, por asnjëherë nuk kishte përgjigje në kërkesat tona.
Osmani ka thënë se ka qenë kërkesë e qartë edhe e Gjermanisë dhe Francës, që kurdo që organizohen zgjedhjet të ketë participim, mos t’u ndalohet serbëve dhe të mos ketë presion mbi ta që ata të participojnë në zgjedhje. Por, sipas presidentes as në këtë kërkesë Vuçiq nuk kishte përgjigje.
Ajo ka thënë se brenda ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të reja, mirëpo është me rëndësi që serbët në veri të marrin pjesë në to, ta shfrytëzojnë participimin. “Pra ata duhet të marrin pjesë dhe t’i zgjedhin kryetarët që dëshirojnë dhe të sigurohen për respektimin e të drejtave tëe tyre nëpërmjet përfaqësuesve që ata i zgjedhin”, është shprehur Osmani, duke mos e përjashtuar këtë veprim si zgjidhje për shtensionimin e situatës.
“Ligjet tona lejojnë zgjedhje të reja nëse ka një përqindje të caktuar të qytetarëve që janë në listën e votimeve e iniciojnë një procedurë të tillë. Pra nëse ka procedura të tilla institucionet tona detyrohen të veprojnë”, ka nënvizuar Osmani.