Nga sot hyjnë në fuqi Marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, ku qytetarëve u mundësohet lëvizja vetëm me letërnjoftime në vendet e Ballkanit Perëndimor, njohja e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve, njofton KlanM.

Krahas Maqedonisë së Veriut, këto marrëveshje do të zbatohen edhe në Shqipëri dhe Kosovë, kurse së shpejti pritet që marrëveshjet të zbatohen edhe në vendet tjera nënshkruese – Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

“Marrëveshjet paraqesin hap të rëndësishëm përpara në përpjekjet tona që t`u mundësojmë qytetarëve lirinë e lëvizjes dhe integrimin, si kusht për krijimin e tregut të përbashkët rajonal, I cili do të paraqesë rrugën më të sigurtë dhe më të shpejtë në realizimin e qëllimit tonë të përbashkët – anëtarësimin në BE” – tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Marrëveshja përt njohjen e letërnjoftimeve, sic percjell KlanM, lehtëson kushtet për udhëtim me thjeshtëzimin e procedurave administrative dhe siguron trajtim të njëjtë për të gjithë qytetarët e rajonit dhe heq të gjitha vizat në Ballkanin Perëndimor.

Me marrëveshjen për njohjen e diplomave universitare vendosen rregulla të përbashkëta, mundësohet mobiliteti i studentëve dhe kuadrit akademik, shkurtohet periudha e miratimit të vendimeve për njohje maksimalisht në 14 ditë.

Dokumenti për njohjen e kualifikimeve profesionale krijon bazë për negociata për katër profesionet e rregulluara, akusherë, infermiere, farmacistë dhe kirurgë veterinar.

Marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit, sic njofton KlanM, u nënshkruan më 3 Nëntor 2022 nga RMV-ja, Serbia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina dhe u miratuan nga Ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në takimin e organizuar nga Qeveria gjermane. https://fb.watch/kUdw8PT7__/?mibextid=Nif5oz