Takimi në Oslo është pjesë e përgatitjeve para Samitit të NATO-s, që do tëmbahet në korrik, në Vilnius të Lituanisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të udhëtojë së shpejti në Ankara, kryeqyteti i Turqisë, për të promovuar anëtarësimin e Suedisë në NATO. Stoltenberg tha për këtë kur mbërriti në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo
Stoltenberg foli në fillim të kësaj jave me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili u zgjodh në një mandat të ri presidencial në zgjedhjet e së dielës.
“Unë gjithmonë theksoj rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësimin e Suedisë. Në të ardhmen e afërt do të udhëtoj në Ankara për të vazhduar diskutimin se si mund të sigurojmë realizimin e anëtarësimit të Suedisë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Stoltenberg, njoftojnë mediat skandinave, transmeton RTKLive.
Koha se kur do të udhëtojë Stoltenberg për vizitë në Ankara nuk dihet ende.
Procesi i anëtarësimit të Suedisë në NATO është trajtuar në takimin e Oslos.
“Shumë aleatë mbështesin fuqishëm anëtarësimin e plotë të Suedisë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Stoltenberg.
Stoltenberg përsëriti mendimet e tij të njohura se anëtarësimi i Suedisë është i mirë për NATO-n në tërësi dhe se ftesa për t’u anëtarësuar tashmë ka përmirësuar situatën e sigurisë së Suedisë.
“Do të ishte e paimagjinueshme që Suedia të përballej me një kërcënim apo një sulm dhe NATO të mos reagonte”.
Përveç Turqisë, Suedisë i mungon gjithashtu ratifikimi i Hungarisë, por Stoltenberg tha se beson se Hungaria do ta trajtojë ratifikimin e saj.
Takimi në Oslo ka gjithashtu çështje të tjera në axhendë, kryesisht duke mbështetur aspiratën e Ukrainës për t’u bërë anëtare e NATO-s. Sipas Stoltenberg-ut, të gjitha vendet e NATO-s pajtohen që dera e saj është e hapur dhe se Ukraina do të bëhet anëtare.
“Të gjithë aleatët pajtohen gjithashtu që vendet e NATO-s dhe Ukraina të vendosin kur të bëhet anëtare, Moska nuk ka të drejtën e vetos për zgjerimin e NATO-s. Megjithatë, detyra më urgjente për momentin është të sigurohet që Ukraina të mbetet një shtet i pavarur. Rusia dhe Putini nuk duhet ta fitojnë këtë luftë”, tha Stoltenberg.
Oslo do të diskutojë gjithashtu forcimin e mbrojtjes së NATO-s dhe që të gjitha vendet anëtare të përmbushin kërkesën për të shpenzuar të paktën dy për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto për mbrojtjen.
Blinken në Oslo: Uniteti i NATO-s arsyeja e rezistencës së Ukrainës kundër Rusisë
Ministri i Jashtëm amerikan, Antony Blinken, pas mbërritjes deklaroi se takimi është një fazë e rëndësishme në rrugën drejt Samitit të Vilniusit. Sipas Blinken, uniteti i NATO-s gjatë një viti e gjysmë të kaluar ka qenë një nga arsyet më të rëndësishme që Ukraina ka qenë në gjendje të mbrohet kundër Rusisë.
Blinken do të udhëtojë në Finlandë të enjten pas takimit ku do të takohet me ministrin e Jashtëm Pekka Haavisto