“Nuk mund të kushtëzojë Hristijan Mickoski se kush mund të jetë, e kush jo pjesë e pushtetit. BDI ka legjitimitet të fituar në zgjedhje të lira dhe demokratike, nuk mund ai të përjashtojë një subjekt kaq relevant dhe serioz politik”.

Kështu e komenton gazetari dhe opinionisti Aco Kabaranov deklaratën e liderit të opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski se është i gatshëm të hyjë në Qeveri me LSDM-në, por pa BDI-në.

“Me këtë deklaratë Mickoski vetëm se provokon. Ai është i vetëdijshëm se LSDM nuk do të pranonte një Qeveri të tillë, pa partinë më të madhe të shqiptarëve, andaj edhe provokon…”, deklaroi Kabranov për Indeks.mk

Zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Inegrim (BDI), Bujari Osmani ka thënë se kërkesa e Micksokit mund të bëhet “realitet”, por vetëm me një kusht.

“BDI është e gatshme të mbështesë një Qeveri pa BDI deri në zgjedhje, nëse opozita i përkrah ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të hyjnë në fuqi para formimit të asaj qeverie. E ardhmja evropiane e qytetarëve është e para!”, ka theksuar Osmani.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se kryeministri i Dimitar Kovaçevski i ka ofruar atij që në Kuvend të miratohet me 2/3 nevoja për ndryshime kushtetuese, kurse pastaj të formohet Qeveri, ku nga 10 resorët që i menaxhon LSDM, 5 t’i merr VMRO-DPMNE, të përfundojnë ndryshimet kushtetuese, të nis procesi i bisedimeve me BE-në, pastaj të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mickoski tha se ka deklaruar se e pranon ofertën, me kusht që BDI mos të jetë në përbërje të kësaj Qeverie.

“Në këtë ofertë, që paraqet qëndrim të Dimitar Kovaçevski, nga ana ime është dhënë kjo përgjigje, në rregull, e kuptoj ofertën, dhe për të njëjtën kam qëndrimin si vijon, VMRO-DPMNE është e gatshme të hyjë në Qeveri me LSDM-në dhe partitë tjera politike, por pa përfshirjen në qeverinë e njëjtë, të BDI-së”, tha mes tjerash Mickoski.

Por, kryeministri Dimitar Kovaçevski pas takimit me Mickoskin tha se pa BDI-në në Qeveri mund të ketë destanilizim të vendit.

“Propozimi i Mickoskit për Qeveri pa BDI mund të hap probleme tjera dhe destabilizim, shembullin e kemi në rajon. Qeveria duhet të jetë e unitetit e jo e përçarjes dhe destabilizimit”, tha Dimitar Kovaçevski. (Indeks.mk)