Daut Dauti, opinionist i gazetës Koha në një prononcim për portalin Indeks.mk, duke komentuar takimin e fundit mes dy liderëve të LSDM-së dhe BDI-së dhe gadishmërinë e BDI-së që të “sakrifikohet” thotë se nëse Mickoski dhe Kovaçevski vërtet mund të merren vesh, atëherë kjo duhet të përshëndet.
“Pas takimit Kovaçevski-Mickovski, dolën në shesh strategjitë politike të cilat japin “material” për debat, por që mund të çojnë edhe drejt daljes nga bllokada e ndryshimeve kushtetuese, që janë çelësi ose kushti për BE. Nëse Mickovski dhe Kovaçevski vërtet mund të merren vesh, atëherë kjo duhet të përshëndet. Mirëpo, edhe pse edhe Bashkimi Demokratik për Integrim u shpreh e gatshme të bëjë pjesën e saj të flijesës për këto ndryshime, duke ua lënë mundësinë LSDM-së dhe VMRO-së për të bërë qeveri, por me kusht që VMRO-ja të përkrahë ndryshimet kushetuese, prapë se prapë, kjo nuk duhet assesi të merret si absolute, sepse ka një çështje, përtej së cilës mendoj se BDI-ja, nuk duhet të kalojë përtej saj. Është kryeministri shqiptar, i cili është pjesë e marrëveshjes LSDM-BDI! Nuk është në pyetje karriera politike e ndonjërit që do të gjendet në këtë post, por te simbolika që ka ky koncept i ofruar nga Bashkimi Demokratik për Integrim që i then tabutë dhe klishetë se në Maqedoni nuk mund të bëhet kryeministër një shqiptar”, deklaroi Dauti për Indeks.mk
Duke qenë një aranzhman politik, shprehet mëtej Dauti, shoqëria jonë duhet ta shohë në praktikë jetësimin e kësaj ideje.
“Me këtë thyhen klishetë një herë e përgjithmonë dhe tejkalohen paragjykimet, me të cilat shpesh bëhet politikë. Ne si shoqëri tashmë kemi dhënë kontribut në këtë drejtim me kryetarin e Parlamentit shqiptar, që nuk është vetëm zgjidhje simbolike, por dhe kualitative. Kjo gjë duhet të ndodhë edhe në krye të ekzekutivit. Gjithandej në për botë ndodhin këso thyerjesh të klisheve, siç ishte herën e fundit edhe në Britaninë e Madhe ku kryeministër u bë një britanez me origjinë etnike nga India. Ideja, simbolika, pesha politike e kryeministrit shqiptar është në dobi të koheziviteetit të shoqërisë dhe një hap i mirë që në të ardhmen të bëhet sa më pak politike me çështjet etnike. Edhe sikur partitë kryesore maqedonase të merren vesh për një qeveri “pa BDI-në” që nuk e besoj se mund të jetë reale, në krye të saj duhet të jetë “dirigjenti” shqiptar, pavarësisht se nga cila parti mund të vijë”, theksoi gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend Daut Dauti.
Në anën tjetër, edhe analiti politik Driton Zenku konsideron se halli i VMRO-DPMNE-së nuk janë as ndryshimet kushtetuese e as pjesëmarrja ose jo e BDI-së në pushtet, por siç thotë ai, halli i opozitës anti-shqiptare është te “kryeministri shqiptar”.
“Marrëveshja për kryeministër shqiptar më 100 ditët e fundit të qeverisë nuk guxon të shkilet, edhe pse Mickovski tenton ta minon kur thotë se marrëveshja LSDM-BDI në rrethana të reja nuk vlen. Këtu e ka hallin Mickovski, për këtë dakordim të Zaevit dhe Ahmetit, BDI verdiktin e mori në zgjedhjet e vitit 2020 me idenë e kryeministrit shqiptar. Nuk mund të ketë lider maqedonas që jep verdiktin se cili subjet do të përfaqëson shumicën e elektoratit shqiptar”, potencon Zenku. (Indeks.mk)