Duke folur për përgjigjen eksprese të BDI-së në adresë të VMRO-së dhe gatishmërinë që BDI-ja të del nga Qeveria vetëm për hirë të integrimeve, publicisti maqedonas, Ljubisha Nikollovski në një prononcim për indeks.mk ka thënë se me këtë veprim, kreu i integristëve, Ali Ahmeti tregoi figurën e liderit të vërtetë.

Ai thotë se është dëshpërues fakti që Hristian Mickoski ende nuk e ka kuptuar dhe nuk po e ndjen se është duke punuar kundër interesave të qytetarëve.

Në prononcimin e tij, Nikollovski thotë se në këtë moment politik ajo që na duhet është bashkim i të gjitha partive politike në Maqedoninë e Veriut dhe liderët e këtyre partive duhet të tregojnë se po punojnë në interes të qytetarëve të tyre dhe jo vetëm, raporton indeks.mk.

“Jo të gjithë liderët e partive politike demonstrojnë politikë serioze shtetëformuese. Mua më dëshpron fakti që kreu i VMRO-së nuk po e ndjen ende se është duke punuar kundër interesave të qytetarëve maqedonas, për dallim nga kreu i LSDM-së dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili me veprimin e tij, që shprehu gatishmëri për të dalë nga Qeveria i habiti të gjithë. Ai tregoi gatishmëri që të punojë më shumë në interes të shtetit se sa disa parti tjera politike. Kjo është për t’u përshëndetur, sepse jemi mësuar që partitë e shqiptarëve, gjithmonë mendojnë njëherë për interesat e veta, por me këtë veprim, gatishmëria për të dalë nga Qeveria me kushte të caktuara, tregoi figurën e liderit të vërtetë tek Ali Ahmeti dhe kapacitetin që ai të mendojë më shumë për shtetin e jo vetëm për interesat e shqiptarëve. Ideja për Evropë është e përbashkët, edhe e shqiptarëve, edhe e maqedonasve edhe e të gjitha etnive tjera”, deklaroi Nikollovski për indeks.mk.