Abuzimi me të moshuarit është një çështje sociale globale që ndikon në shëndetin dhe të drejtat e personave të moshuar në mbarë botën, prandaj meriton vëmendjen e të gjithëve.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në rezolutën e saj 66/127, caktoi datën 15 qershor si Ditën Botërore të Parandalimit të Abuzimit ndaj të Moshuarve.

Abuzimi me të moshuarit është një formë dhune që përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i rasteve të abuzimit me të moshuarit parashikohet të rritet sepse shumë vende kanë popullsi me plakje të shpejtë.

Është parashikuar që deri në vitin 2050, popullsia globale e njerëzve të moshës 60 vjeç e lart do të jetë më shumë se dyfish, nga 900 milionë në vitin 2015 në rreth 2 miliardë, me shumicën dërrmuese të të moshuarve që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Nëse përqindja e viktimave të abuzimit me të moshuarit mbetet konstante, numri i viktimave do të rritet shpejt për shkak të plakjes së popullsisë, duke arritur në 320 milionë viktima deri në vitin 2050.

Format e abuzimit me të moshuarit janë ai fizik, emocional, psikologjik, seksual dhe financiar.

Kontaktet e shpeshta me të moshuarit mund të ndihmojnë anëtarët e familjes të vlerësojnë statusin e tyre shëndetësor, kushtet e jetesës, cilësinë e kujdesit dhe mirëqenien emocionale. Në disa raste duhet të kryeni vizita çdo ditë, dhe në pamundësi të vizitave mund të kryeni telefonata.