Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është informuar për vdekjen e tre qytetarëve të Kosovës në aksidentin tragjik në lumin Lepenc.

Kurti iu ka shprehur ngushëllime familjeve Pacolli dhe Visoka për humbjet.

“Sapo u njoftova nga autoritetet tona se vetura e aksidentuar mbrëmë dhe e rënë në lumin Lepenc në Shkup është gjetur dhe në të janë trupat e pajetë të tre qytetarëve tanë”.

Por në këtë tragjedi ka edhe një të mbijetuar të cilit KUrti i dëshiroi shërim sa më të shpejtë.

“Shkëlqimit i cili i mbijetoi këtij aksidenti i uroj shërim sa më të shpejtë e forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllaut të tij. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Pacolli dhe Visoka të cilët humbën familjarët e tyre, ka shkruar Kurti në Facebook, të dielën.

Ai ka falënderuar ekipet e FSK-së dhe Policisë së Kosovës për vullnetarizmin në kërkim-shpëtim.

“Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin prej nesh. Falënderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar”, ka thënë Kurti.