Sveçla i reagon Rashiqit për “Mbrojtjen Civile” dhe Brigadën e Veriut”: Secili anëtar i tyre do të hetohet.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se bashkëbisedimi me qytetarët në veri është krucial.
Sipas tij, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, përmes dhunës e kërcënimeve po e pamundësojnë bashkëpunimin me qytetarë atje.
“Prona, jeta, siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë atje po rrezikohet cdo ditë nga pjesëtarë të këtyre dy grupeve”, tha Sveçla.
Tutje, ai th se sjellja para drejtësisë e këtyre grupeve që sipas tij, kanë shkaktuar vepra të panumërta penale, do të sjellë rezultate.
“Ky vendim nuk prek askënd i cili deri në momentin e shpalljes si organizata terroriste kanë qenë pjesëtarë të këtyre dy organizatave e s’kanë kryer vepra penale tashmë”.
“Pra, s’vihen në rrezik pjesëtarët e këtyre organizatave që janë integruar apo amnistuar më herët. Nuk ka prapa-veprueshmëri”, tha Sveçla, njofton Klankosova.tv.
Sveçla më tej tha se secili që është pjesë e këtyre organizatave do të jetë subjekt i hetimit dhe përndjekjes së organeve të drejtësisë.
“Janë organet adekuate që bëjnë vlerësimet e nevojshme për secilin akt dhe secilin pjesëmarrës të këtyre organizatave”, tha ai.
Pro këtij vendimi ishte i gjithë kabineti qeveritar, përveç ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.