Një grua ka vdekur mbrëmë në Suharekë, teksa Policia e ka cilësuar rastin si “Vrasje nga pakujdesia”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka thënë për Express, se dyshimet e para janë që pas një aksidenti, i dyshuari e ka shtyrë viktimën nga vetura, ku si pasojë ajo ka vdekur.

Ai tha se pas rishikimit të provave në vend të ngjarjes është vërtetuar se viktima nuk ka vdekur nga lëndimet në aksident, por dyshohet se është shtyrë nga një person.

“Është raportuar për një aksident trafiku, policia ka dalë ne vendin e ngjarjes ka qenë një viktimë femër e vitit të lindjes 1956. Pasi që është bërë rishikimi i provave është vërtetuar se viktima nuk ka vdekur nga lëndimet në aksident dhe nuk dihen shkaqet e vdekjes. Por sipas hetimeve të parë është arrestuar ui dyshuari pasi dyshohet se pala e dyshimtë dyshohet se e ka shtyrë viktimën nga vetura dhe pastaj viktima ka vdekur. Viktima ka qenë pjesëmarrëse në aksident”, ka thënë ai.

Ndërkaq i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Suharekë 29.06.2023-21:54. Lidhur me rastin e lartcekur është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person i dyshuar mashkull kosovar, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet më tutje në njoftim.