Hoti për masat e BE-së: Kosova s’mund të udhëhiqet nga njerëz që i sjellin vendit sanksione.
Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka reaguar pas hyrjes në fuqi të masave të BE-së ndaj Kosovës.
Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se nuk e ka njoftuar as kuvendin e as qytetarët për situatën e re.
“Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një Kryeministër dhe Presidente, të cilët i sjellin vendit sanksione në vend të integrimit euro-atlantik”.
“Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për tu dakorduar për kursin e veprimeve”, tha Hoti.
Tutje, Hoti tha se presidentja e vendit, Vjosa Osmani nuk është duke e ushtruar funksionin e saj, duke shtuar se “ky binom po e çojnë Kosovën në një rrugë tjetër, jo në atë të perëndimit”.
“Më 28 qershor 2023, BE e paska njoftuar Qeverinë e Kosovës për sanksionet e vendosura: suspendimi i MSA-së, suspendimi i projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimi i fondeve të IPA, pezullimi i takimeve të larta dy palëshe dhe masa të tjera”, tha Hoti.
Kujtojmë se sot Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se masat e paralajmëruara ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi më 28 qershor, dhe për këtë është njoftuar Qeveria e Kosovës.