U kërkoi ta hetojnë Masakrën e Dubravës, Prokuroria e Hagës i kthen përgjigje Dugollit.
Enver Dugolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje që gjatë luftës ka qenë i mbijetuar i masakrës së forcave serbe në Burgun e Dubravës, ka pranuar përgjigjen nga Prokuroria e Specializuar në Hagë për kërkesën të cilën e kishte bërë më 29 prill.
Dugolli kishte kërkuar nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës.
”Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre“, ka shkruar Dugolli në Facebook.
”Ju falemnderit të gjithëve për mbështetjen tuaj. Mbetem me shpresë se Prokuroria e Specializuar do t’i japë fund pandëshkueshmërisë së autoriteteve të larta të Serbisë për këto krime monstruoze, si dhe ta shfrytëzojë këtë rast për të sqaruar përfundimisht nëse Gjykata Speciale është, apo s’është, gjykatë një-etnike“, ka shkruar ndër tjerash ai.