– Me rikthimin “te rrënjët”, zor se i sjellin dobi VMRO-DPMNE-së. Një herë e një kohë ndoshta dhe mund të pinë ujë ca gjëra gjëra, por jo përgjithmonë, se edhe njerëzit ngopen, sado joshëse të jenë ato që i serviren vazhdimisht në “pjatë”!
(Fragment nga kolumna e Daut Dautit “Kur s’të shqitet imazhi që krijon vetë!” në gazetën “Koha”)
Disa gjëra nuk ndërrojnë se nuk ndërrojnë. Edhe kur mendon se ndoshta dhe ndërrojnë, mendo dy herë, populli nuk ka thënë kot “ujku qimen ndërron, po hujin jo!”!
Shumë herë kam shkruar se si ka qenë një fatkeqësi për VMRO-DPMNE-në që u shfaq në skenën politike me një platformë antishqiptare. Kjo pat bërë që edhe pse fituese e zgjedhjeve parlamentare, ta refuzojë mandatin, ngase nuk donte të bënte qeveri me partinë shqiptare, PPD-në! Ai imazh i mbeti kësaj partie vite me radhë, edhe pse në shumë raste, ka pasur përpjekjet për ta ndryshuar. Vetë krijuesi i kësaj partie dhe i kësaj fryme, para tri dekadash, Lubço Georgievski, e ka kuptuar gabimin, ndaj dhe në mundësinë e parë që të krijojë qeveri, këtë e bëri me partinë “simotër” për nga vokacioni nacionalist, PPDSH-në e Arbër Xhaferit.
Mirëpo, fill pas kësaj episode të papërfunduar të “vëllazërisë” midis dy ekstremeve në blloqet nacionale, vjen periudha pas Lubços, dhe një rikthim pakashumë “te rrënjët”. VMRO-ja ishte partia nënshkruese dhe pastaj kundërshtuese, ku e hapur, e ku e msheftë, e Marrëveshjes së Ohrit(ishte kundër ndryshimeve kushtetuese, ishte kundër decentralizimit…).
Iku Gruevski, duke menduar se me të u tret edhe ajo fryma e djallit që krijonte telashe me shqiptarët dhe fqinjët tjerë. Por, jo, edhe trashëgimtari i tij, Mickoski, kohë pas kohe, i dëshpëruar si duket që iu larguan partitë shqiptare me të cilat pretendonte të bëjë shumicë të re, iu kthye temave të vjetra që duhej harruar, ato me shqiptarët. Haptas ka deklaruar se dëshiron të heqë dy gjëra që shqiptarëve u jepnin garanci për barazi: votimi me shumicë të Badinterit, që është një digë e fortë kundër majorizimit, dhe “balanserin”, që siguron përfaqësim adekuat në adminsitratë.
Gjersa këtë e mendon i pari i partisë, ai i cili duhet të mendojë si t’i afrojë partitë shqiptare që nesër të mos vijë në situatë që edhe si fitues të mos ketë kush t’i bashkëngjitet në qeveri, çka mbetet për ata nën nivelin e tij!? Kështu, kryetari i Butelit, paska ngritë iniciativë për t’i ndërruar disa emra rrugësh të cilat udhëheqësia e kaluar i ka vënë, e ku ka mjaft shqiptarë, si refleksion i një mjedisi të përzier etnikisht çfarë është komuna e Butelit. Në listën e emrave janë kryesisht shkupjanë të merituar, shkrimtarë, këngëtare, ndonjë veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare, që s’kanë si të jenë të kontestueshëm, përveçse faktit që mund të jetë halë në sy për kryetarin nga radhët e VMRO-së, pse ata janë shqiptarë!
Me rikthimin te këndvështrimet e kaluara, ose me rikthimin “te rrënjët”, zor se i sjellin dobi kësaj partie. Një herë e një kohë ndoshta dhe mund të pijnë ujë këto gjëra, por jo përgjithmonë, se edhe njerëzit ngopen, sado joshëse të jenë ato që i serviren vazhdimisht në “pjatë”!
Kolumna e plotë: https://www.koha.mk/kur-ste-shqitet-imazhi-qe-krijon-vete/