Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta në një intervistë për `La Vanguardia`, ka folur për Lionel Messin.
Prej javësh flitej se asi argjentinas do të rikthehej tek Barcelona, megjithatë, Messi zgjodhi Inter Miamin (Amerikë), për të vazhduar karrierën e tij futbollistike, karrierë që po shkon drejt fundit.
Nga PSG-ja, kampioni i botës me Argjentinën u transferua në Amerikë në skuadrën e ish-futbollistit anglez, David Beckham.
“Ne kishim një marrëveshje me La Ligën që një pjesë të burimeve që kemi do t’ia kushtonim Messit. Ishte parashikuar në planin e fizibilitetit. Ne ia komunikuam Jorge Messit (babait të Messit). Ai më tha se Leo kishte pasur një vit shumë të vështirë në Paris dhe se donte më pak presion. Nëse do të ishte kthyer tek ne, ai do ishte sërish nën presion dhe e kuptoj vendimin e tij. Ne i dëshirojmë atij më të mirën”, ka thënë Laporta.
Megjithatë, Laporta nuk e përjashton mundësin që Messi një ditë sërish të zbresë në ‘Camp Nou’, por jo në cilësinë e futbollistit.