Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë të ditur se LDK-ja nuk ka marrë pjesë më mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, për shkak, siç tha ai, të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se LDK-ja nuk do të marrë pjesë as në të ardhmen në këtë mbledhje.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë në Mbledhjen e Kryesisë, për shkak të situatës së krijuar, lidhur me sanksionet tashmë të konfirmuara nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian dhe nga Kryeministri i Kosovës”.

“Ne si Grup Parlamentar vlerësojmë se është e dëmshme për Kosovën dhe është e pamundur që të sillemi në mënyrë normale sikur nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj, nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e Kryesisë as në ardhmen dhe për masat dhe veprimet e mëtutjshme do të merren vendimet në kryesinë e partisë shumë shpejtë”, u shpreh tutje ai.