Kurti: Rruga jonë është e qartë, është ajo evropiane.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se rruga e Kosovës është e qartë, ajo është evropiane.

“Dhe ne ecim në këtë mision së bashku,” – tha Kurti.

Ai kështu deklaroi në përvjetorin e 9-të të themelimit të Këshillit të Investitorëve Evropianë.

“Vendi ynë është padyshim evropian. Qeveria jonë është me gjithë zemër e përkushtuar ndaj vlerave evropiane siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit, dhe integrimit në organizatat evropiane si BE-ja dhe Këshilli i Evropës. Dhe ajo që vijon është vlerësimi dhe përkushtimi ynë i shumëfishtë: ne e vlerësojmë dialogun publiko-privat si një mjet për politika më të mira, ne i drejtohemi shoqatave të biznesit si aktorë dhe partnerë për ndryshim dhe mirëpresim kapitalin evropian si forcë lëvizëse për rritjen ekonomike në Kosovë.” tha ai.

Kurti foli për mundësitë të cilat Republika e Kosovës i ofron, potencialin zhvillimor, punën dhe arritjet e Qeverisë.

Numri një i qeverisë së Kosovës theksoi se ekzekutivi ka marrë përsipër të kryejë reformat në mënyrë transparente dhe demokratike, duke përfshirë angazhimin në dialog të rëndësishëm me sektorin privat.

Shoqatat e biznesit si Këshilli i Investitorëve Evropian marrin pjesë në konsultime dhe seminare, të cilat i hartojmë me kujdes për të inkurajuar komunikimin dhe për të informuar vendimmarrjen.

“Republika e Kosovës është një zgjedhje ideale për investitorët. Vendndodhja jonë gjeografike, rinia e talentuar dhe qeveria e pastër krijojnë mundësi të shumta për të qenë pjesë e projekteve transformuese”, theksoi numri një i qeverisë.